Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, beson se eskalimi i situatës në veri të vendit lidhet me politikat e “gabuara” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Kurti e bëri këtë të ditur në një intervistë për prestigjiozen amerikane “Politico”.
Ai thotë se po vepron sipas parimit e jo sipas inatit.
“Po veproj sipas parimit, jo me inat”, është shprehur Kurti për Politicon.
Kurti ka thënë se si BE-ja ashtu edhe SHBA-të duhet t’i thonë presidentit serb, Aleksandër Vuçiq që të tërhiqet.
“Ajo që ne shohim nga Perëndimi demokratik është një qëndrim i qartë i zbutjes. Kështu arritëm këtu. Dhe mendoj se është e rëndësishme si për BE-në ashtu edhe për SHBA-të, t’i thonë Vuçiqit të tërhiqet”, është deklaruar Kurti.
Në një artikull të kushtuar ngjarjeve dhe tensioneve në veri të Kosovës, i titulluar “Si u bë kryeministri i Kosovës armiku i flaktë i Amerikës?”, Politico shkruan se kryeministri Kurti ka arritur të pamundurën në politikën amerikane, konsensusin në mes të demokratëve dhe republikanëve.
“Fatkeqësisht për Kurtin (dhe vendin e tij), pika e marrëveshjes është se lideri i Kosovës është një politikan kokëfortë dhe nganjëherë i pamatur, i cili ka minuar përpjekjet e përbashkëta SHBA-BE për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme për paqen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Politico.
Të hënën, BE-ja kërkoi që Kurti dhe Vuçiq të udhëtojnë në Bruksel për një takim.






