Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e mbajtur për media së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur rreth Projektligjit për Vetttingun.

Kurti tha se bashkë me ministren Haxhiu do të japin informata lidhur me reformën në drejtësi dhe vettingun në sistemin gjyqësor.

“Gjatë kësaj jave na tronditi të gjithëve lajmi për krimin që për viktimë kishte vajzën 11-vjeçare. Në raste si këto i humb kuptimi zbatimit të respektimit të drejtave të njeriut, respektimit të ligjit, ndjekjes së krimit, ushtrimit të pozitave të larta shtetërore, që kanë obligim parandalimin, përkatësisht ndjekjen e atyre që kërcënojnë sigurinë, mirëqenien dhe integritetin fizik të qytetarëve. Kur kuptojmë që kryerësi i veprës penale ka qenë i dënuar për vepra penale e gjendet i lirë, kur dështon zinxhiri institucional përgjegjës për ndjekjen penale – policia, prokuroria, gjykata – dështon drejtësia, kurse faturën e paguan qytetari. Fuqia e cila vie nga pozita e gjyqtarit ose prokurorit në vete ngërthen përgjegjësi të madhe ndaj qytetarit, për të garantuar të drejtat e secilit e për të fuqizuar sundimin e ligjit, gjyqtari vepron me urtësi dhe maturi, vepron me profesionalizëm, andaj vendimet e tij apo saj edhe mbrohen nga vetë shteti përmes pavarësisë së garantuar me kushtetutë dhe me ligj. Gjyqësori ynë, përkundër të gjitha garancive kushtetuese, ngjan sikur mundohet ta dëshmojë të kundërtën. I akuzuar e i dënuar për shumë vepra penale, dhunuesi ec i lirë nëpër rrugët e Prishtinës, dhunuesi lirohet pas tetë muajsh burgim, dhunuesi nuk rehabilitohet, dhunuesi përsërit veprën e madje dhunuesi edhe vret. Nuk ka alternativë ndaj vettingut në sistemit gjyqësor e prokurorial, këtë e kuptojnë edhe vetë akterët e këtij sistemit e edhe ata më skeptikët për vettingun”, tha Kurti.

“Me qëllim të koordinimit me të gjithë akterët politik në vend, kam thirrë takime me liderë të opozitës, ashtu që puna e mëtutjeshme në procesin e vettingut të arrijë konsensus të plotë. Me përjashtim të LDK-së, të gjithë e kanë pranuar ftesën dhe kemi zhvilluar takimin. Tani kur punën tonë e kemi bërë me profesionalizëm dhe në koordinim me akterët politikë, duke kuptuar që vettingu është produkt i nevojave të shoqërisë, procesin e vendosim në duart e deputetëve të Kosovës”, deklaroi Kurti.