Lokale - eSIMy

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk pezullon gjyqtarë e as prokurorë. Ky reagim i tij vjen pas protestave të sotme në veri të vendit.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka suspenduar të enjten kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Lilana Stevanoviq, për pjesëmarrje në atë tubim, deri në vendimin përfundimtar të komisionit disiplinor. Zyrtarët e Kosovës thanë se pjesëmarrja e saj në tubim minon integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtares.

Kurti ka shkruar në Twitter se gjyqësori është i pavarur nga Qeveria, dhe ndoshta presidenti Aleksandar Vuçiq, largon nga puna gjyqtarët e prokurorët por kjo sipas tij nuk ndodhë në Kosovë.

“Unë nuk jam as kryetar dhe as anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjyqësori është i pavarur nga Qeveria. Ndoshta në Serbi presidenti pezullon dhe largon gjyqtarët dhe prokurorët. Ky nuk është rasti në Kosovë ose me gjyqtaren Stevanoviç. Ne jemi vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, plotësisht në linjë me BE-në dhe NATO-n”, ka shkruar Kurti.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se Lista Serbe dhe stafi serb në Gjyqësorin e Kosovës e kanë pezulluar punën në institucionet e Kosovës derisa të kthehet në postin e saj Liliana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, e suspenduar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për pjesëmarrje në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Gjatë protestës së serbëve në Mitrovicë të Veriut nuk ka pasur fjalime, ndërsa njoftimin për pezullimin e punës në insititucionet e Kosovës Rakiq e tha për mediat, pas protestës.

Ndërkohë, nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh kryetar i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, tha në Graçanicë se mesazhi kryesor i protestës ishte “të ndalet dhuna institucionale ndaj serbëve”.

Serbët e Kosovës kanë protestuar në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë afër Prishtinës, kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, më 3 prill.

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, kishin shprehur shqetësime për rrezikun e përshkallëzimit apo dhunës në protestat e së premtes.

Vendet e Quint-it dhe BE-së, po ashtu kanë përsëritur thirrjet e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga secila retorikë apo vendim, që mund të çojë në rritje të tensioneve.

Prishtina zyrtare pretendon se zgjedhjet serbe në Kosovë nuk ishin të ndaluara, porse nuk u arrit marrëveshje ndërmjet dy palëve për mbajtjen e tyre. Kryeministri Albin Kurti këmbënguli që Beogradi zyrtar t’i dërgojë një kërkesë të drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve, gjë të cilën Serbia e vlerësoi si presion për njohjen e Kosovës dhe refuzoi ta bëjë këtë.