Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Llapin, me ç’rast është takuar me mërgimtarët në Javën e Diasporës të organizuar nga Komuna e Podujevës, raporton Llapi.info.

Me këtë rast, i pari i ekzekutivit ka folur edhe për punimet e rrugës Prishtinë – Podujevë, ku thotë se janë duke u përpjekur me ministrat që e njëjta të kryhet sa më parë.

“Me Ministrinë e Mjedisit të Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, po përpiqemi që sa më shpejtë të përfundojë kjo rrugë. Me të vërtet unë e vërejta duke ardhur këtu se çfarë kolone dhe trafiku që është. Duhet të ecim më shpejtë në çështjen e shpronësimit. Krejt pengesat nuk janë politike, por teknike të trashëguara. Andaj, do përpiqemi me ministrin Liburn Aliu dhe zëvendësministrin Hysen Durmishi t’i kryejmë këto sa më shpejtë, pasi që kjo rrugë është më e dendur dhe që s’është kryer ende”, është shprehur ai.

Ditë më parë, për shkak të zvarritjeve të punimeve, është mbajtur një protestë në rrugën Prishtinë – Podujevë. Protesta është thirrur menjëherë pas një aksidenti tragjik që ndodhi, e ku humbën jetën dy persona në fshatin Siboc./Llapi.info