Kryeministri Albin Kurti iu është drejtuar në gjuhën e tyre serbëve në Kosovë rreth vendimit të qeverisë për lëshimin e dokumenteve në hyrje-dalje në të gjitha pikat kufitare, për qytetarët serbë që posedojnë dokumente identifikuese të lëshuara nga autoritetet serbe.

Kurti bën të ditur se ky vendim nis zbatimin pasnesër, më 1 gusht, dhe se po ashtu do të fillojë edhe procesi i regjistrimit të veturave që posedojnë targa ilegale të cilat do të konvertohen në RKS, njofton Klankosova.tv.

“Në respektim të ligjeve të Republikës së Kosovës, nga e hëna më 1 gusht 2022, do të fillojë lëshimi i dokumentit hyrje-dalje në të gjitha pikat tona kufitare për qytetarët që posedojnë dokumente identifikuese të lëshuara nga autoritetet e Serbisë. Në të njëjtën ditë, do të fillojë edhe procesi i regjistrimit të veturave që posedojnë targa ilegale të cilat do të kthehen në targa RKS” ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje, Kurti në video-adresim u thotë qytetarëve serbë të Kosovës ta kuptojnë këtë si përgjigje ndaj shkeljes së të drejtave të tyre.

“Kur flasim për të drejtën dhe drejtësinë, e me ketë edhe për sovranitetin shtetëror, duhet të flasim edhe për reciprocitetin në kuptim të përdorimit të letërnjoftimit në territor të shtetit tonë. Nuk duam që këtë veprim ta kuptoni ndryshe, përveç si përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave, të drejtave tuaja, si nënshtetas të Kosovës. Obligimi i qeverisë është që të mbrojë të drejtat tuaja nga veprimet diskriminuese të cilat siç janë kërcënim ndaj shtetit, janë kërcënime ndaj gjithë neve, si shtetas të tij”.

“Kjo që po fillojmë ne tani, me 1 gusht, Serbia ka filluar ta zbatojë para 11 vitesh. Ne jemi në dispozicion duke dëshmuar që çdo veprim i yni është vetëm respektim i ligjit i cili si i tillë, trajton secilin dhe të gjithë njësoj”, u shpreh Kurti.

Ky video-mesazh i Kurtit besohet se është xhiruar më herët për shkak se ai ishte në vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sot kthehet në Kosovë.

Më poshtë e gjeni adresimin e tij të plotë: