Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar shkollën fillore të mesme të ulët “Enver Maloku” në Podujevë, për siç ka thënë ai, fillimin e vitit të ri shkollor.

Ai gjithashtu gjatë kësaj vizite ka parë nga afër procesin e shpërndarjes së librave për nxënësit e klasës së parë.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se Kurti ka thënë se do të bëjnë shumë punë të mbara edhe në qeverisje qendrore e lokale por edhe në mësimdhënie e në mësimnxënie për të gjithë nxënëset dhe nxënësit.

Ai tutje ka shtuar se shkolla është vend ku mësohet, ku jepet mësim dhe ku fëmijët edukohen, bëhen më të ditur e më të mençur, andaj sipas tij, edhe shkolla duhet të jetë vendi ku vijnë nxënësit të mësojnë e jo t’i gjejnë dyert e mbyllura e klasat e zbrazëta.

“Duke theksuar se e ardhmja e një populli, e një shteti, e një shoqërie varet shumë prej arsimimit të më të vegjëlve, Kryeministri Kurti i falënderoi të gjithë prindërit për vullnetin e përkushtimin e madh që kanë për fëmijët e tyre. U garantoj që edhe nga pushteti qendror e lokal, por edhe nga kuadri arsimor këtu, do ta kenë gatishmërinë, interesimin e punën, ashtu që këta fëmijë kur të rriten nesër e të na zëvendësojnë neve, të jenë shumë më të mirë se sa të gjithë ne”, thuhet në njoftim.

Pas kësaj vizite në shkollë, Kryeministri Kurti dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi vizituan edhe çerdhen publike “Armela” në Podujevë.