Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se reciprociteti për targa dhe dokumente, do të vendoset në të gjitha pikë kalimet kufitare nga 1 shtatori, raporton Llapi.info.

Këto komente, i pari i ekzekutivit i ka bërë gjatë vizitës së tij në Podujevë, ku ka thënë se barrikadat e vendosura mbrëmë nga serbët lokalë, tashmë janë hequr.

“Me shtetin e së drejtës, forcën e ligjit sigurojmë barazi për të gjithë, paqe dhe siguri. Por, në anën tjetër, jemi të vetëdijshëm që ka struktura ilegale, që kur dalin në rrugë, e bëjnë barrikada, shtijnë në drejtim të policisë shndërrohen në banda kriminale. Policia dhe Prokuroria janë duke i mbledhur të gjitha incizimet, sepse ajo dhunë dhe ai agresion ka lënë gjurmë të këqija, ka shkaktuar dëme. Por, besoj që gjithçka do të shkojë në rregull me dokumentet për hyrje-dalje, të cilat do të rikthehen në të gjitha vendkalimet kufitare prej 1 shtatori e tutje. Besoj që forca e tyre (Serbisë), do të shkojë duke u zbehur, ajo forcë është e Serbisë, e tash edhe gjithë faktorët ndërkombëtarë janë të bindur se destrukitiviteti i Beogradit është shkaku i trazirave në Kosovë. Teksa po vija këtu në Podujevë, janë hequr 9 barrikadat”, ka thënë Kurti.

Mbrëmë, serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera rrugët në veri, si shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, të datës 29 qershor.

Këto vendime parashohin lëshimin e dokumentit të posaçëm për hyrje/dalje në Kosovë për ata persona që posedojnë dokumente serbe.

Pas tensioneve, Qeveria e Kosovës ka shtyrë për në shtator implementimin e këtyre vendimeve./Llapi.info