Në kryeqytetin e Spanjës, Kryeministri Albin Kurti e ka takuar ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Javier Solanën.

Kryeministri Kurti ka udhëtuar sot në Spanjë, për të marrë pjesë në Kongersin e Internacionales Socialiste, si lider i Lëvizjes Vetëvendosje.

Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti pati një bisedë “të ngrohtë” me Solanën, për gjendjen e Kosovës.

“Pas privilegjit të një vizite me z. Javier Solana në muzeun kombëtar Museo Nacional del Prado, ku ai është Drejtor i Patronazhit të këtij muzeu me famë ndërkombëtare, Kryeministri Kurti pati një bisedë të ngrohtë dhe të hapur mbi gjendjen e Kosovës, të rajonit, por edhe të Evropës, përballë luftës ruse në Ukrainë”, thuhet në kumtesën e ZKM-së.

Kurti i ka shprehur ish-sekretarit të NATO-s mirënjohjen pë dy momente; çlirimin tonë në vitin 1999, si dhe shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.

“Përvoja e z.Solana, si ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe ish-Përfaqësues i Lartë i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së është e çmueshme për Republikën e Kosovës dhe e paharrueshme për popullin e Kosovës”, shkruan ZKM-ja.

Solana ka qenë Sekretar i NATO-s nga viti 1995 deri në fund të vitit 1999. Ai pasur role udhëheqëse brenda Bashkimit Evropian, deri në vitin 2009.