Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se zgjidhja e çështjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk është vetëm çështje e sigurisë, por në radhë të parë është çështje e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve.
Ai në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian nëse gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nuk ndryshon.
“Pa ndryshuar rrënjësisht gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nuk është e mundur që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Kapitujt 23, 24, gjyqësori, të drejtat dhe liritë themelore si dhe siguria e imponojnë këtë gjë”.
“Në vend se ne t’i përdorim këta dy kapituj për ta përmirësuar pozitën e shqiptarëve atje, nga Prishtina është demobilizuar Lugina e Preshevës pikërisht në emër të premtimit që ata shumë shpejt do të na bashkëngjiten neve pa ndonjë sforcim shtesë pa çka se më herët ishte zhvilluar një luftë bartëse e së cilës ishte UÇPMB-ja dhe po ashtu ishte mbajtur referendumi i 1 dhe 2 marsit të vitit 1992 i cili referendum nuk është përfshirë në pozicionet zyrtare as të shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë”.
Kurti ka thënë se për shkak të bojkotimit të regjistrimit të popullsisë është reduktuar numri i anëtarëve të Këshillit Kombëtar Shqiptar nga 29 në 15, njofton Klan Kosova.
“Ministria për Administratë Shtetërore dhe Vetadministrim Lokal e ka aplikuar kriterin sipas të cilit në Serbi ka gjithsej vetëm 5805 shqiptarë që është një qëndrim cinik i shtetit serb”.
“Kur është bojkotuar regjistrimi i popullsisë atje ata pak që janë regjistruar janë konsideruar të vetmit shqiptarë që jetojnë atje”.
I pari i Vetëvendosjes ka thënë se papunësia në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është shumë e madhe gjë që shkakton emigrimin e shqiptarëve drejt Kosovës dhe shteteve perëndimore.
Në seancën e jashtëzakonshme për situatën aktuale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Kurti ka thënë se Kosova dhe Shqipëria kanë ndihmuar vetëm në lindjen e fëmijëve atje, por jo edhe rritjen e tyre – duke iu referuar kështu ndihmës financiare për hapjen e Maternitetit në Preshevë.
“Pas kërkesave të shumta për disa vite, Materniteti më në fund është hapur në prill të vitit 2015. Me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë është lejuar që për nevojat e punës të pranohen dy mjekë specialistë dhe 10 infermiere”.
“Materniteti është ndihmuar edhe nga Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, por me nga 50.000 euro”.
“Kaq i kemi ndihmuar ne shqiptarët atje – që të mund të lindin, por jo edhe që të mund të rriten dhe jetojnë”.
“Vështirësitë e lindjes, mbase nënave shqiptare ua kemi lehtësuar, por edhe jo edhe vështirësitë e rritjes së fëmijëve të tyre që kur rriten masivisht emigrojnë”.