Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka qëndruar së fundi në Stuttgart të Gjermanisë.
Me këtë rast, Kurti tha se ka takuar bashkatdhetarë të shumtë të cilët i ka falënderuar që i janë përgjigjur ftesës së tij për të bashkëbiseduar mbi mundësinë e bashkëpunimit, bashkëveprimit, për zhvillimin e demokratizimit të Kosovës, për integrimin pa asimilim të shqiptarëve jashtë atdheut.
“Mërgata jonë janë ura jonë me Bashkimin Evropian për investime dhe progres. Në takimin me ekspertët e fushave të ndryshme e kyçëm virtuelisht edhe Besnik Bislimin, në takimin me mjekët dhe specialistët shëndetësorë e kyçëm Arben Vitinë, kurse në takimin me shoqatat kultutore shqiptare e kyçëm Liza Gashin. Një takim të veçantë pata edhe me biznesmenë shqiptarë e një tjetër me kryesinë e VETËVENDOSJE!-s e aktivistë të tjerë”, tha Kurti.
Tutje ai shtoi se diskutimet ishin të frytshme, idetë e propozimet e shpalosura gjithsesi të vlefshme, sidomos tani që po përpilojmë programin dhe planin e Qeverisjes Alternative.
“Intelektualë, profesionistë dhe ndërmarrës shqiptarë në Gjermani japin një kontribut të përditshëm në shoqërinë gjermane dhe mbledhin përvoja të rëndësishme që mund e do të na shërbejnë për arritje e përparim në vendin tonë. Nga luftimi i pandemisë te sigurimet shëndetësore, nga siguria e investimeve te ligjet mbi financat, nga mësimi i shqipes te diplomacia kulturore, u trajtuan gjerë e gjatë. Ruajtja dhe kultivimi i vlerave tona kombëtare është obligim i yni i përbashkët. Në keto takime u konfirmua pesha dhe roli i mërgatës sonë”, përfundoi Kurti.