Kryetari i Lëvzijes Vetëvendoisje, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm ka qëndruar në Durrës, saktësisht në zonat e prekura nga tërmeti.
Ai ka takuar edhe përfaqësues të policisë dhe ushtrisë, ndërsa në një deklaratë shtypi tha se kërkohet ndihma e institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës që të shmanget kriza humanitare.
“Që të mos kemi elemente të ndonjë krize humanitare duhet që institucionet edhe në Kosovë edhe në Shqipëri edhe qendrore edhe vendore t’i ndihmojnë shqiptarët pa dallim sa më shumë”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se duhet të ndihmojmë dhe mbështesim njëri-tjetrin në këto kohë të vështira.
“Pushtetet vendore do të ndihmojnë me statistika më të mira, ndërkohë populli po e kryen punën e bujarisë dhe mirëpritjes. Populli po tregon solidaritet dhe do të duhet që institucionet dhe qeveritë ta organizojnë sa më mirë këtë gjë. Nuk duhet të bjerë përkushtimi sepse mund të duket që ka rënë rreziku”, tha Kurti.
Ai ka thënë se po FSK-ja dhe Ushtria e Shqipërisë po bashkëpunojnë shkëlqyeshëm dhe me profesionalizëm në misionin e kërkim-shpëtimit.
“Erdhëm që të shohim konkretisht gjendjen. Besoj që në një krizë të tillë, ushtria është edhe mjeti edhe mënyra më e mirë për organizim të duhur. FSK dhe Ushtria e Shqipërisë po bashkëpunojnë në mënyrë të shkëlqyeshme. Me profesionalizmin e tyre, ata po na i ngrohin zemrat se do të dalim nga kjo gjendje e rëndë që na ka goditur. Besoj që dy Qeveritë tona duhet të takohen dhe tema të jetë gjendja pas tërmetit. Besoj që rreziku mund të ketë rënë një çik, por jeta e rëndë, si një lloj krize humanitare e njerëzve”, ka thënë ai.