Lokale - eSIMy

Deputetja e VV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka reaguar pas intervistës së Kryetarit të LDK-së duke thënë se kjo gjë në mënyrë të tërthortë tregon se Lumir Abdixhiku dëshiron të hyjë në koalicion me VV-në, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Por, sipas Mulhaxha-Kollçakut “ka ikur ky tren”.

“Kjo është mënyrë e tërthortë e Lumirit që të thotë se dëshiron të hyjë në koalicion me LVV. Mirëpo, ka ikur ky tren. Lumiri është dashur t’i bashkohet Vjosës, por, për atë hap nuk guxoi”, ka shkruar deputetja e VV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Mbrëmë, Lumir Abdixhiku në një intervistë në “Debat Plus” foli për qeverinë aktuale, të udhëhequr nga Kurti.

Ai tha se në rastin më të mirë, Kurti mund të jetë ministri i tij i brendshëm.

“Kur një qeveri s’bën punë as në politikë, as në arsim, as në shëndetësi, as në politikë të jashtme, as në infrastrukturë, as në politikë të brendshme dhe kur i gjithë roli i saj reduktohet në le të themi, në një shkop polici dhe kështu duket që janë, si një ministri e punëve të brendshme, me kaq përfundon puna e qeverisë. Një MPB. Pra, në rastin më të mirë, Albin Kurti do të ishte ministri im i brendshëm”, deklaroi Abdixhiku.