Kryetari i VV-së, Albin Kurti është takuar gjatë ditës së sotme me zyrtarë turq.

Në takime të ndara bashkë me deputetët Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacollin e po ashtu, kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskuka ata kanë takuar shefin e grupit parlamentar të Partisë Republikane të Popullit, Engin Özkoç dhe deputetët Utku Çakirözer dhe Haluk Koç (CHP), shefin e grupit parlamentar të Partisë së Lëvizjes Nacionaliste, Erkan Akçay dhe deputetin Muhammed Levent Bülbül (MHP), shefin e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), Av. Bülent Turan.

Ai nga turqit ka kërkuar edhe ndihmë që Kosova të njihet nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Ky është postimi i plotë i Kurtit në Facebook:

Sot, gjatë ditës, së bashku me deputetet Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli, kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kryetarin e Qendrës së Prishtinës, Arben Vitia dhe asambleistin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Arbër Vokrri, takova shefat e grupeve parlamentare të partive kryesore politike në Turqi.

Në takime të ndara takuam shefin e grupit parlamentar të Partisë Republikane të Popullit, Engin Özkoç dhe deputetët Utku Çakirözer dhe Haluk Koç (CHP), shefin e grupit parlamentar të Partisë së Lëvizjes Nacionaliste, Erkan Akçay dhe deputetin Muhammed Levent Bülbül (MHP), shefin e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), Av. Bülent Turan.

Në të gjitha këto takime i falendërova për mbështetjen dhe ndihmën e shtetit turk para, gjatë dhe pas luftës, duke theksuar se Turqia menjëherë njohu Republikën e Kosovës, porsa e shpalli pavarësinë. Biseduam për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës e Turqisë, për mundësitë dhe nevojën e bashkëpunimit ekonomik, përmes investimeve që gjenerojnë punësim në Kosovë, sidomos për rininë dhe gratë.

Synimi ynë është që Kosova të integrohet në Bashkimin Evropian dhe NATO. Duke qenë se pengesa kryesore për anëtarësimin është mosnjohja nga 5 shtetet e BE-së, përkatësisht 4 shtetet e NATO-s, kërkova që të na ndihmojnë me kontaktet që kanë me partitë simotra në këto vende duke kërkuar nga to që ta njohin shtetin e Kosovës.

Me shefin e grupit parlamentar të Partisë Republikane të Popullit, Engin Özkoç u pajtuam që të thellojmë bashkëpunimin dhe të vazhdojmë koordinimin tonë të përbashkët në Internacionalen Socialiste.