Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim në “Symi Sympozium” ku ka folur për sigurinë dhe të ardhmen e Europës. Kurti ka cituar Imanuel Kantin, dhe thënien e tij para 227 vjetëve, i cili thoshte se “demokracitë nuk e luftojnë njëra-tjetrën”. Ai shton se po të ishte Rusia demokratike, nuk do ta sulmonte Ukrainën.

Kurti ka treguar se po pret prej Kancelarit gjerman, Olaf Scholz, që të fillojë Procesin e Berlinit 2.0 në shtator të këtij viti.

“Sa i përket integrimit në Bashkimin Europian besoj që e kemi rrugën më të mirë përpara me Procesin e Berlinit, nëse mund ta quaj 2.0, pas fillimit të ri të nisur nga kancelari Sholz që po e presim të gjithë në vjeshtën e këtij viti. Ky Proces i Berlinit 2.0, do të sillte tregun e përbashkët rajonal dhe BE-në si vlerë dhe mekanizëm brenda të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha ai në fjalimin e tij.

Tutje ai ka dhënë edhe një ide se si mund të modelohet Procesi i Berlinit, ku ka thënë se shembulli do të ishte të modelohej sipas EFTA-EEA-së, ku bëjnë pjesë Norvegjia, Zvicra, Lihtenshajni dhe Islanda.

“Procesi i Berlinit 2.0 do të mund të modelohej sipas EFTA-EEA, ngjashëm sikurse Norvegjia, Lihtenshtajni, Zvicra dhe Islanda që e kanë si kontratë me BE-në, me gjykatë të përbashkët dhe autoritet këshillues, mbikëqyrës, ku BE-ja do të zhvillohej nga brenda në secilin shtet, por megjithatë jo vetvetiu, sepse na duhet ndihma nga jashtë. Pra, duhet ta zhvillojmë BE-në brenda vetes. Mendoj që për të gjithë ne Evropa është kontinenti ynë dhe BE-ja është fati ynë dhe mendoj që jemi me fat për këtë”, shtoi ai.