Lokale - eSIMy

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se paqja dhe siguria në Evropë po sfidohet edhe nga Serbia përveç se vetëm nga Rusia.

“Paqja dhe siguria në Evropë nuk po sfidohet vetëm në lindje nga Rusia, por edhe në juglindje nga Serbia. Ata nuk kanë kufij të përbashkët, por kanë qëllime të përbashkëta. I shohin shtetet me thjerrëzat etnisë sepse nuk besojnë në vlerat e demokracisë”, ka thënë ai.

Kurti në një bisedë në kuadër të Forumit për Paqe në Paris ka thënë se Kosova është e gatshme që Serbisë t’ia shtrijë dorën dhe të krijojë marrëdhënie të mira fqinjësore, por ngriti dyshime se Serbia mund ta bëjë të njëjtën gjë.

“11 vjet më vonë marrëdhëniet nuk janë më të mira se para një dekada dhe ka një arsye për këtë. Serbia ka dështuar në demokratizimin e saj dhe kërkon më shumë konflikt sesa bashkëpunim, ende u jep lavdi kriminelëve të luftës në vend se t’i gjykojë e t’i dënojë. Kam frikë se Serbia nuk është as demokratike e as e pavarur. Është një regjim që udhëhiqet nga Kisha Ortodokse e dominohet nga Rusia e Putinit. Kosova kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe jemi gati të zgjasim dorën për një vend që ka kryer gjenocid ndaj vendit tonë, nëse ata janë gati të çlirojnë grushtet e tyre. Ajo që nuk ofrojmë janë koncesionet për ta ndarë vendin tonë në vija etnike, por nëse Serbia nuk është gati të na njohë, 5 vendet e Evropës nuk kanë nevojë të presin, mund ta ndihmojnë Serbinë të na njohë më shpejt”.