Kryeministri Albin Kurti i është kundërpërgjigjur Shefit të Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për stërvitjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut.

Kurti ka thënë se ky është aktivitet i përvitshëm dhe se KFOR’i ka qenë “plotësisht i informuar”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Në fund të reagimit të tij, Kurti ka thënë se dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm.

“Stërvitjet e sotme nga Regjimenti III i@KSF_Kosova në Mitrovicën e Jugut janë një aktivitet rutinë, i planifikuar çdo vit, për të cilin KFOR-i ishte plotësisht i informuar. Ai përbëhej nga 215 ushtarë që shkonin nga garnizoni “Minatori” në Frashër dhe ktheheshin. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm”, ka shkruar Kurti.

Sa i përket arrestimit të sotëm në veri, Kurti ka sqaruar se ai është arrestuar për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR’it, duke shtuar se “si kryeministër i një shteti demokratik kam zero përfshirje në hetimet e krimeve dhe arrestimeve””

“Bazuar në provat e shumta dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe të drejtat e procesit të rregullt ligjor, Policia ka arrestuar një person në veri të Mitrovicës për sulm ndaj ushtarëve @NATO_KFOR në Zveçan më 29 maj. Si kryeministër i një shteti demokratik kam zero përfshirje në hetimet e krimeve dhe arrestimeve””, ka thënë Kurti.

Në fund, Kurti ka thënë se “përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme” vetëm ndez tensionet.

Ai e ka sugjeruar Borrellin që para se të reagoj të konfirmojnë burimet dhe të presin informacionet zyrtare nga institucionet e Kosovës.

“Përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme vetëm ndez tensionet dhe ndihmon ata që kërkojnë t’i përshkallëzojnë ato. Një thirrje për të gjithë: ju lutemi konfirmoni burimet tuaja dhe prisni informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës përpara se të vendosni të angazhoheni publikisht në transmetimin e lajmeve ose parashikimin e ngjarjeve”, ka shkruar Kurti në Tëitter.

Shefi i Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell ka thënë se është tejet i shqetësuar me arrestimet e serbëve në veri si dhe me marshimin e FSK-së.

Madje, këto arrestime, Shefi për Diplomaci i Bashkimit Evropian i ka cilësuar si “jashtëgjyqësore”.

“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia.”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Borrell ka thënë se përshkallëzimi po bëhet i rrezikshëm, derisa ka shtuar se nuk do ta tolerojnë këtë.

”Pavarësisht takimit të djeshëm të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë.”, shktoi ai.