Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se përkujtimi i komandantit Zahir Pajaziti dhe i dëshmorëve të tjerë, tregon sa i madh ishte çmimi për lirinë, shtetin dhe pavarësinë.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se vendosën lule të freskëta tek përmendorja e heroit Zahir Pajaziti pas 26 vjetëve që komandanti Pajziti bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën ranë heroikisht në Pestovë të Vushtrrisë, shkruan Ekonomia Online, transmeton Klan Kosova.

“Ata ishin kushtrimi për luftë çlirimtare, por njëkohësisht ishin edhe pararendës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës meqenëse ata kryenin aksione çlirimtare edhe para se të fillonte lufta. Duke kujtuar e përkujtuar komandantin Pajaziti dhe dëshmorët e tjerë të kombit, në të njëjtën kohë ne tregojmë se sa i madh ishte çmimi për lirinë tonë, për shtetin tonë, për pavarësinë tonë dhe se sa i vlefshëm për të tashmen dhe të ardhmen është ky kujtim e ky përkujtim që bëhet si nga institucionet po ashtu edhe nga qytetarët e vendit tonë”, tha Kurti.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha në ditë si kjo e sotmja është e rëndësishme të kujtohet sakrifica e të gjithë ushtarëve të UÇK-së.

“Është e rëndësishme që kjo sakrificë të jetë udhërrëfyes i ynë në punët e shumta që kemi për të bërë për të jetësuar idealet e tyre, një shtet të fortë e demokratik ashtu siç e dëshiruan Zahiri me shokët e tij dhe të gjithë ata që dhanë jetën për liri”, tha Gërvalla.