Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë bërë thirrje tek mësimdhënësit që t’i kthehen procesit mësimor në shkolla, shkruan Llapi.info.

Këto komente, Kurti dhe Nagavci i kanë bërë me rastin e vënies së gurthemelit për ndërtimin e shkollës së re në fshatin Llugë të Podujevës.

“Nga kjo situatë duhet të dilet duke nisur mësimi për nxënësit, duke shkuar mësimdhënësit në shkolla, meqenëse nuk zhvillohet vendi pa arsim, nuk zhvillohet ekonomia pa mësim dhe edukim. Ne i kemi marrë masat e nevojshme sociale si asnjë qeveri më parë. Ministrja e Arsimit e ka shpjeguar pa numër herë sesi ne kemi ndarë mjetë për mësimdhënësit që kanë sëmundje të rënda e mos humbje të punës. Tash ne e kemi pakon për përballje me inflacionin ku përfshihen edhe mësimdhënësit”, ka deklaruar Kurti.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, duke bërë të njëjtën thirrje, ka deklaruar se humbja e mësimit, sipas saj, është shumë e dëmshme për nxënësit.

“Edhe nga këtu, bëj thirrje tek mësimdhënësit që të jenë pranë nxënësve – ashtu që të mos humbet asnjë orë mësimi, pasi dëmet e shkaktuar janë shumë të mëdha për nxënësit”, ka thënë Nagavci./Llapi.info