Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur të hënën në takim kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, transmeton Llapi.info.
Sipas njoftimit të zyrës për shtyp të kryeministrit, në takim është diskutuar për funksionimin e këtij institucioni dhe për ngritjen e bashkëpunimit në çështje të ndërlidhura me Qeverinë.
“Daka e njoftoi kryeministrin në detyrë, Kurti, që përgatitjet për zgjedhjet për kryetar të komunës së Podujevës edhe pse janë ndërprerë, me vendimin e marr më 14 mars të këtij viti, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, për mos-mbajtjen e tyre, KQZ është e gatshme që ta mbajë këtë proces zgjedhor”, thuhet në njoftim.
Kurti e ka njoftuar Dakën për lirimin e masave që po i ndërmerr Qeveria ndaj COVID-19.
“Koordinimi ndërinstitucional dhe respektimi i rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Ministrisë së Shëndetësisë nga qytetarët, kanë dhënë rezultatin e tyre”, ka thënë ai.
Kryeministri në detyrë Kurti në këtë takim shprehu gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë për forcimin e bashkëpunimit me KQZ-në dhe nevojën që ka vendi ynë për zhvillimin demokratik të institucioneve përmes transparencës dhe pavarësisë së tyre./Llapi.info






