Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një videomesazhi të ri në Facebook ka dënuar rritjen e rasteve të dhunës në familje, në kohën e izolimit për shkak të pandemisë.
Ai ka porositur që dhuna në familje duhet të raportohet e institucionet duhet të rrisin reagimin në trajtim të rasteve.
“Si drejtues të institucioneve jemi të shqetësuar se me situatën e vetizolimit për shkak të pandemisë së Coronavirusit është rritur edhe dhuna në familje. Dhuna asnjëherë nuk ka arsyetim. Për ne është e papranueshme dhe e dënueshme. Qeveria jonë e ka rritur buxhetin e strehimoreve për të mbijetuarat e dhunës në vlerën 900 mijë euro. Jemi duke parë format për shtimin e fondeve të programeve kundër dhunës në familje, çfarëdo forme që merr ajo: fizike, psikike apo seksuale”, ka thënë ai.
“S’është kollaj kur të jetosh do të thotë veçse të banosh, i mbyllur, në hapësirë të kufizuar, në stinën e bukur të pranverës. Në këtë kohë, qëndrimi në shtëpi na shpëton nga virusi, por dhuna nuk guxon të izolohet si çështje private brenda shtëpive. Ajo duhet të raportohet e institucionet përgjegjëse ta rrisin reagimin në trajtimin e rasteve. Çdo rast i dhunës është rast urgjent. Virusi nuk mund ta shtyjë për më vonë ndalimin dhe dënimin e dhunës. Prandaj rrini në shtëpi, rrini të pastër, rrini në distancë, mbështeteni njëri-tjetrin dhe ndani punët bashkë”, ka përfunduar Kurti.