Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka thënë se vendosja e çmimit për naftën ka dhënë rezultate.

“Ministrat Murati dhe Hajdari, unë si kryeministër, jemi në komunikim të vazhdueshëm që të sjellim masa që e ndihmojnë më së shumti qytetarin, por pa e shkelë as kushtetutshmërinë, e as ligjin. Këto do t’i shihni ditëve në vijim, por ju e keni parë që ka dhënë rezultate çmimi tavan për naftën”, ka thënë Kurti në një konferencë për medie.

Ai po ashtu tha se gjatë ditëve të ardhshme do të publikohen edhe masat e reja të qeverisë për çmimet e larta të produkteve esenciale.

Ndërkaq foli edhe për masën e re për punësimin, ku parashihet të paktën një i punësuar për familje, masë për të cilën tha se janë zotuar ta përmbushin, dhe këtë, sipas tij, po e bëjnë, njofton Klankosova.tv

“Së pari, ne e respektojmë edhe kushtetutshmërinë, edhe ligjin, por në të njëjtën kohë na duhet që t’u dalim në ndihmë qytetarëve. Ju e keni parë që unë kam paralajmëruar që nesër ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, do të dalë dhe do ta shpjegojë hollësisht skemën e punësimit të garantuar e cila po materializohet, po konkretizohet me masën tonë më të re, që është ndihma prej 70% e pagës bruke (maksimum deri në 300 euro) për 6 muaj rresht për këdo që është i papunë, punësohet e nuk e ka askënd të punësuar në familjen e vet. Ju e dini shumë mirë që ne jemi zotuar që çdo familje ta ketë një të punësuar dhe këtë po e bëjmë”, shtoi Kurti.