Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pakoja për përballje me inflacionin është edhe si rezultat i trysnisë së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura me greva. Në fjalimin në Kuvend, Kurti ka thënë nuk mund t’i trajtojë grevat në arsim si problem specifik.

“S’ka synim për triumfalizëm. Më 1 shtator kemi takuar kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykollin, dhe ia kemi ofruar triumfin ta publikojmë bashkë pakon për inflacion. Kam dashur që ata të bëhen pjesë e fitores. Është edhe rezultat i trysnisë së tyre pakoja që po e bëjmë. Ju ka pëlqyer, por nuk kanë pranuar pasi kanë dalë nga takimi e nuk e di me kë janë konsultuar. Ju ka pëlqyer ideja që po sjellim pako për përballje për inflacion. BASKK-ja do ta kishte triumfin më 2 shtator e të mos detyrohesha vetëm unë me ministrin ta prezantonim pakon më 3 shtator”, ka thënë Kurti.

Ai ka vazhduar se çmimet s’janë rritur vetëm për arsimtarët dhe se pakoja për përballje me inflacionin i prek të gjithë pasi produktet janë shtrenjtuar për të gjithë. “Në markete nuk shkruan se këto produkte janë më shtrenjtë vetëm për mësimdhënësit”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shtuar se Vetëvendosje ka garuar me platformën për punësim dhe drejtësi. Ka shtuar se s’ka pasur synim për rritje pagash, por se kjo do të ndodhë me Ligjin për Paga.

Kurti është shprehur i habitur se përse Haradinaj flet në emër të mësimdhënësve.

Ai ka thënë se njerëzit që po ikin nga vendi janë kryesisht punëtorë të sektorit privat. Ka thënë se pa u rregulluar ky sektor në aspektin e pagave dhe kushteve të punës, njerëzit do të vazhdojnë të ikin.