Para dy vjetësh, kandidati i PDK-së për të udhëhequr me Komunën e Obiliqit, Nysret Kelmendi, është zgjedhur zëvendësdrejtor i një prej ndërmarrjeve më të mëdha publike në vend.

Kelmendi, i cili ishte edhe nënkryetar i kësaj komune mandatin e kaluar, nga 2 maji është përzgjedhur në pozitën e re në Korporatën Energjetike të Kosovës, raporton KTV.

Por, Ligji për ndërmarrjet publike e përcakton qartë se i emëruari në këtë pozitë nuk duhet të jetë i përfshirë në politikë në 36 muajt e fundit.

Për këtë, shoqëria civile ka kërkuar që përzgjedhja e tij të rishikohet.

Megjithatë, Kelmendi nuk konsideron se është shkelur ndonjë ligj kur është përzgjedhur në këtë pozitë.

Ai, përmes telefonit, ka thënë për KTV-në se më nuk është pjesë e PDK-së dhe se nga viti 2017 nuk ka ushtruar asnjë funksion politik.

Në konkursin për zëvendësdrejtor të KEK-ut kanë aplikuar 8 kandidatë, ku prej tyre, 5 janë eliminuar dhe 3 janë ftuar për intervistë.

Në anën tjetër, KEK-u, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se të gjitha procedurat në konkurs janë zhvilluar në përputhje me Ligjin e punës dhe rregulloret e brendshme të ndërmarrjes.

Zëdhënësi Skender Bucolli, ka thënë se bazuar në vlerësimin e testit me shkrim dhe intervistës me gojë, komisioni vlerësues ka renditur Kelmendin si kandidatin më të suksesshëm, i cili ka marrë pikët maksimale.