Dy punonjës policie dhe 5 shtetas të tjerë kanë rënë në prangat e policisë nën akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike.

Në kuadër të operacionit të koduar “Cakrani 2019” është bërë i mundur ndalimi i dy punonjësve të policisë, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi dyshohet se kanë favorizuar banorë të ndryshëm të këtyre fshatrave për kultivimin e bimëve narkotike, në këmbim të përfitimeve financiare.

Të ndaluarit nga ky operacion janë G.B., 48 vjeç, Z.K., 57 vjeç, B.Xh., 62 vjeç, G.M., 49 vjeç, I.M., 39 vjeç, E.Sh., 50 vjeç, dhe A.K., 25 vjeç.

Në këtë veprimtari kriminale dyshohet se është implikuar edhe Kryeplaku në Njësinë Administrative Cakran, B.Xh., ndaj të cilit u vendos masa e sigurisë, “Arrest me burg”.

Po ashtu policia thotë se si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur evidentimi i 3 parcelave të mbjella me rreth 300 rrënjë bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sativa në zonën e Cakranit, si edhe gropa të hapura për mbjelljen e tyre. Gjithashtu, në vendin e quajtur “Liqeni i Cakranit”, u evidentuan parcela të vogla me 30-50 rrënjë.

Gjatë kontrollit të banesave ndaj shtetasve të mësipërm u evidentuan edhe disa kubikë të mbjella me lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Ndërkohë është shpallur në kërkim shtetasi F.C., 68 vjeç, lindur dhe banues në Cakran.