Trajneri Driton Kuka e ka vlerësuar si nismë të mbarë triumfin e dyfishtë të Kosovës në turneun e xhudos në Izrael të shtunën.
Trajneri i suksesshëm Driton Kuka ka thënë se medalja e artë e fituar nga Majlinda Kelmendi dhe e argjendta e rrëmbyer nga Loriana Kuka i kanë dhënë një nismë të mbarë ekipit të tij në garat e xhudos më 2019.
Kosova kthehet nga Izraeli me dy medalje të fituara nga dy garuese në total në turneun Grand Prix, që u mbajt dje dhe sot në Tel Aviv të Izraelit. Majlinda Kelmendi e fitoi medaljen e artë pas një ecurie brilante prej katër fitoreve me ippon, ndërsa Loriana Kuka e humbi mundësinë për medalje të artë pasi u mposht në finale, por arritja në finale i mjaftoi asaj për ta rrëmbyer medaljen e argjendtë.
“Loriana e argjendtë me shkëlqim të artë!
Trepça nuk prodhon vetëm ari por edhe argjend
Majlinda medaljen e artë dhe 700 Pikë Olimpike!
Loriana medalja e argjendtë 490 Pikë Olimpike!
Grand Prix Tel Aviv dy garuese dy medalje nismë e mbarë për ekipin tonë”, shkroi Kuka në llogarinë e vet zyrtare në Facebook.
Përveç medaljeve, Majlinda dhe Loriana kanë fituar edhe pikë në rrugë për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike Verore Tokyo 2020.






