Asnjë aksident me fatalitet nuk është raportuar brenda 24 orëve të fundit në Kosovë.
Në këtë ka ndikuar kryesisht kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, sidomos në javët e fundit, si masë parandaluese e përhapjes së koronavirusit, raporton KOHA.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë muajve janar-mars 2020 kanë vdekur 19 persona në aksidente, derisa në po të njëjtën periudhë gjatë vitit të kaluar kanë vdekur 24 persona.
Dallime në shifra ka edhe mes muajve janar-mars të këtij viti, kur edhe kanë ndryshuar masat e lëvizjes.
Në 24-orëshin e fundit janë regjistruar 31 aksidente, kurse në ditën e njëjtë të shkurtit kanë qenë 51 të tilla.
Drejtori i Emergjencës, Basri Lenjani, ka thënë se me gjithë situatën me COVID-19, po vërehet ndryshim pozitiv sa u përket aksidenteve me të lënduar, që ka më pak të tillë që kanë kërkuar ndihmë në QKUK.
Njohës të çështjeve të komunikacionit, me gjithë rënien e numrit të aksidenteve, kërkojnë kujdes nga organet përgjegjëse.
Policia e Kosovës në një përgjigje për KOHËN ka thënë se ka edhe rënie të krimit në përgjithësi në këta muaj, por nuk kanë dhënë detaje për statistika e as për vepra penale, të cilat kanë shënuar rënie.
Por, gjatë këtyre muajve është rritur numri i personave që po arrestohen për mosrespektim të masave të vendosura nga institucionet shëndetësore.
Vetëm gjatë së martës, policia ka arrestuar 70 persona, prej tyre më së shumti në Pejë, pastaj në Prishtinë e Gjakovë.