Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur në takim Koordinatorin Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës Rexhep Hotin, të shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Azem Guri, njofton Llapi.info
Në këtë takim, i pari i Podujevës, Agim Veliu dhe Koordinatori Nacional i KRS-së Rexhep Hoti, nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi për avancimin e pozitës së të rinjve në fushat e sportit, kreativitetit kulturor dhe garave në dituri.
Marrëveshja e nënshkruar përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve në realizimin e projekteve konkrete në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Republikën e Kosovës.
Kryetari i Podujevës, Agim Veliu shpreson se kjo marrëveshje do të sjellë të mira për të rinjtë.
“Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte nënshkrimi i një memorandumi bashkëpunimi mes të Komunës dhe Koordinatorit Nacional për Rini. Jemi të bindur që kjo nismë është e mirë dhe duhet përkrahur pasi që do të sjellë të mira e benefite për të rinjtë tanë, sepse në këtë gara që planifikohen të zhvillohen në bazë të këtij programi, besojmë se do të ketë edhe ngritje të cilësisë dhe do të ketë krahasim të Komunave, që do të sjellë një frymë të re të garave”, tha Veliu pas takimit për media.
Ndërsa, Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, tha se në fillim të dhjetorit do të shpërndahen materiale për nxënësit të nevojshme për shkollim.
“Kryetari i Podujevës në këtë vizitë na ofroi mbështetje të fuqishme për nxënësit, pasi që projekti nacional përfshinë të gjithë nxënësit në Kosovë pa përjashtim. Presim që ky bashkëpunim të avancojë dhe do të ofrojmë të gjithë literaturën e nevojshme që projekti të jetësohet. Në fillim të dhjetorit do të shpërndajmë edhe materiale për nxënësit të cilat janë të nevojshme për shkollim. Gara zhvillohet në tri nivele”, tha Hoti.
Kurse, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Azem Guri, shtoi se MASHT synon që me këtë program të avancojnë vlerësimet e jashtme.
“Program Nacional ka një shtrirje gjerë, që përfshinë prindërit, shkollat përkatësisht mësimdhënësit e drejtoritë e Arsimit. Ministria e Arsimit përmes këtij programi synon që të ndikojë në avancimin e cilësisë nga vlerësimet e jashtme që bëhet pët klasat e pesta, Testit të Arritshmërisë dhe atij të Maturës. Gjithsesi do të ndikojë edhe në avancimet e rezultateve të Testit PISA”, tha Guri./Llapi.info