Kryetari Sindikatës së arsimit fillor dhe arsimit të mesëm në Podujevë, Fadil Halimi, sot ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e KFOR-it për ndërlidhje e monitorim (LMT) Ferenc Kapor e Zoltan Vamos, njofton Llapi.info
Në këtë takim është diskutuar për gjendjen e përgjithshme në arsim në Komunën e Podujevës pas paralajmërimit të SBASHK-ut për grevën e përgjithshme.
“Në rast se nuk ngritët koeficienti për kategorinë e arsimit deri në shkallën 2.5 për qind në kuadrin e projektligjit të ri të pagave dhe miratimit të projektligjit të mësimdhënësve të viteve 90-ta, i tërë sistemi arsimor do të hyjë në grevë të përgjithshme, qëndrim ky i paraqitur edhe nga kryetari SBASHK-ut Rrahman Jasharaj”, ka thënë Halimi.
Në këtë takim, përfaqësuesit e KFOR-it janë interesuar për gjendjen organizative dhe unitetin e sindikalistëve arsimor të Podujevës.
Ata po ashtu u interesuan edhe për shkeljen e të drejtave në punë të mësimdhënësve të shkollave të kësaj komune, pastaj për numrin mbetur të papunëve që ishte paralajmëruar në fillim të vitit shkollor nga DKA prej 60 sosh.
Në këto dhe interesimet tjera të përfaqësuesve të KFOR-rit hungarez ka dhënë shpjegimet kryetari i SBASHK-ut në Podujevë.
“Pavarësisht shkeljeve të drejtave të punëtorëve ato i rregullon ligji, në sindikatë janë të anëtarësuar rreth 80 për qind e punëtorëve arsimor, kurse shumica e punëtoreve tashmë veç janë sistemuar nëpër shkolla, në disa shkolla mund të këtë mbetur edhe ndonjë mësimdhënës pa punë për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve në disa shkolla në fshatrat rurale”, ka shtuar Halimi./Llapi.info








