Lokale - eSIMy

Kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Hyseni i Gjilanit, i Kamenicës, Kadri Rrahimaj, i Shtimes, Qemajl Aliu, kanë mbajtur një konferencë për medie, në komunën që udhëhiqet nga bashkëpartiaku i tyre, Shpejtim Bulliqi, raporton Llapi.info.

I pari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se katër kryetarë të komunave nuk janë pjesë e e padisë së Asociacionit të Komunave të Kosovës, ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me kontratat kolektive.

“Ne mendojmë se inicimi i kësaj padie nga ASK-ja edhe një herë dëshmon se ky Asociacioni i Komunave të Kosovës është kthyer në një vegël politike, antiqeveritare dhe larg misionit të tij që duhet ta përmbush në shërbim të komunave. Ne si kryetarë të komunave jemi të interesuar që të gjendet zgjidhje për këtë problem që prek drejtpërdrejt punëtorët e sektorit publik, por jo të keqpërdoret nga një asociacion politik që shtynë përpara agjendat ditore të caktuara politike antiqeveritare dhe të cilat s’e kanë fokus zgjidhjen e problemit”, është shprehur Bulliqi.

Tutje, ai pyeti krerët e ASK-së se ku ka qenë asociacioni në kohën kur janë nënshkruar kontratat dhe cili ka qenë reagimi i asociacionit, teksa shtoi se nuk është Qeveria Kurti ajo që ka bërë nënshkrime të tilla.

“Dihet se cila qeveri i ka nënshkruar këto kontrata dhe sigurisht që në kohën e nënshkrimit, ky asociacion ka qenë i udhëhequr nga po këta njerëz dhe asnjëherë nuk e kanë ngritur zërin që ta zgjidhin këtë problem. Ne mendojmë se e tëra kjo çka po bëhet në këto momente merr karakter politik më qëllim që të krijohet edhe më tepër pakënaqësi në lidhje me moszbatimin e këtyre kontratave”, është shprehur Bulliqi./Llapi.info