Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë, në të cilën është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë për krizën e rëndë ekonomike, atë energjetike si dhe për grevat e sindikalistëve, njofton kumtesa, transmeton Llapi.info.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka njoftuar anëtarët e Kryesisë për punën e kryetarëve të komunave ku udhëheqë PDK, për diskriminimi i skajshëm që Qeveria po ua bën komunave si dhe për koordinimin e aktiviteteve me deputetët e Grupit Parlamentar për Sesionin vjeshtor.

Kreu i PDK-së tha se qeveria aktuale ka i ka braktisur qytetarët dhe ka stagnuar në të gjitha fushat, duke përkeqësuar skajshëm jetën e qytetarëve të Kosovës, të cilët po përballen me shtrenjtim enorm të produkteve esenciale.

Në vazhdën e reformave dhe të konsolidimit të Partisë Demokratike të Kosovës, në pajtim me vendimin e mbledhjes së fundit të Këshillit Drejtues, si dhe në bazë të nenit 31 të statutit, sot, Kryesia e PDK-së ka vendosur që të caktoj udhëheqësinë e përkohshme në Degën e PDK-së në Podujevë, me kryetar Isak Shabani.

Kryesia e PDK-së e ka autorizuar udhëheqjen e re të Degës në Podujevë që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për funksionalizimin e strukturës së Degës në të gjitha nivelet e saj.

Me këtë rast, Kryesia e PDK-së ka shprehur konsideratën dhe vlerësimin për punën e pandalshme të ish-kryetarit të Degës së PDK-së në Podujevë, Naim Fetahu./Llapi.info