Xhiroja e 26-të e Superligës së Kosovës në futboll takon sot Llapin dhe Prishtinën, njofton Llapi.info.
Ndeshja pritet të nis me fillim nga ora 16:45 në stadiumin e qytetit të Podujevës, “Zahir Pajaziti”.
Pas 25 javëve, Llapi renditet në vendin e gjashtë me 37 pikë, ndërsa Prishtina renditet aktualisht e treta me 50 pikë të tubuara.
Gjatë këtij edicioni, Llapi dhe Prishtina janë ballafaquar dy herë, ndërkohë që të dyja ekipet kanë shënuar fitore si mysafire. Llapi e kishte mposhtur në “Fadil Vokrri” Prishtinën me rezultat 1-0, derisa kryeqytetasit fituan me rezultat 4-1 në Podujevë.
Përkundër ndeshjes së fundit, prishtinasit gjithmonë kanë pasur udhëtim të vështirë në Podujevë. Nga 12 ndeshje, Llapi ka fituar 6 sosh, 3 barazime dhe 3 fitore të Prishtinës me gol-dallim +5 për Llapin, 16:11.
Ekipi i udhëhequr nga Tahir Batatina kanë paralajmëruar se do t’i kërkojnë garat evropiane deri në ndeshjen e fundit të edicionit, e nga ana tjetër Prishtina do këmbëngul për arkëtimin e pikëve të plota në këtë duel, në mënyrë që të jetë në hap me ekipet pretendente për titullin kampion.
Skuadra nga Podujeva hyn në këtë sfidë pas disfatës së pësuar në fundjavë në Drenas nga Feronikeli, kurse Prishtina triumfoi ndaj Dukagjinit.
Selim Isufi, Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj do ta ndajnë drejtësinë në këtë ndeshje interesante.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, vetëm edhe kjo ndeshje do të luhet pa prezencën e publikut për shkak të masave kundër pandemisë COVID-19, ndërkohë që në xhiron e radhës tribunat do të jenë në dispozicion për tifozët./Llapi.info