Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, ka pritur sot në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë takimit në Oslo, Store, ka shprehur zhgënjimin që Kosova nuk ka lejuar të mbahen zgjedhjet serbe në territorin e saj më 3 prill.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Norvegjisë, Store, thuhet t’i ketë thënë Kurtit edhe se marrëveshjet e arritura deri tash në Bruksel duhet të implementohen nga të dyja palët.

“Çështja mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet dialogut të drejtuar nga BE-ja mes Kosovës e Serbisë. Marrëveshjet ekzistuese duhet të implementohen dhe të dyja palët duhet të frenohen nga veprimet që do të dëmtonin besimin e ndërsjellë. Për këtë arsye shfrytëzova rastin gjatë takimit për të shprehur zhgënjimin tim se Kosova nuk po lejon organizimin e zgjedhjeve serbe të 3 prillit në mënyrën e ngjashme siç ishin organizuar zgjedhjet në të kaluarën”, ka thënë Store.

Store në takim edhe ka thënë se nuk mund të merret si i garantuar stabiliteti në Ballkan Perëndimor.

“Çështjet e pazgjidhura nga vitet e 90-ta mund t’i vënë sërish zjarr rajonit”, ka thënë Store.

Por, nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, nuk është përmendur deklarimi i kryeministrit të Norvegjisë, Store. Në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit është thënë se u diskutua për rëndësinë e raporteve të mira fqinjësore mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Kosova e sheh Norvegjinë si shembull se si mund të ndërtohet një shoqëri e drejtë dhe me prosperitet duke investuar në edukim, mirëqenie sociale dhe tash në ekonomi të gjelbër, u shpreh kryeministri Kurti. Të tre këto janë prioritete edhe të Qeverisë sonë, tha kryeministri dhe duke marrë parasysh edhe indikatorët pozitivë në ekonomi, por edhe ata në demokraci, është koha që të thellojmë bashkëpunimin dhe rrisim lidhjet tona ekonomike, shtoi më tej kryeministri Kurti. Kryeministri Jonas Gahr Støre i uroi Kryeministrit Kurti mirëseardhje në Norvegji, tha se është i interesuar në reformat që Qeveria e Republikës së Kosovës ka filluar të ndërmarrë dhe është i gatshëm që të rrisë bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy vendeve. Ai po ashtu shprehu interesim për propozimet konstruktive dhe progresive për Bashkëpunim Rajonal që ka bërë Qeveria e Kosovës. Në takim, gjithashtu u diskutua për rëndësinë e raporteve të mira fqinjësore ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për invazionin dhe agresionin e paprovokuar ushtarak rus në Ukrainë, të cilin e dënuan ashpër të dy kryeministrat”, është thënë nga Kryeministria.