Lokale - eSIMy

Italia ka mbyllur gjithë vendin, ka nxjerrë rrugëve ushtrinë e ka rrezikuar me ekonominë për të ndalur shpërndarjen e koronavirusit. Megjithatë, shpërndarja po rritet vazhdimisht. Deri të dielën, shteti ka pasur më shumë se 53500 raste e më shumë se 4800 vdekje, duke tejkaluar Kinën si shteti me më së shumti vdekje.

Ngecja e Italisë po shihet me të madhe si paralajmërim tragjik për shtetet tjera, sepse po paguan çmimin e mesazheve të përziera në fillim nga shkencëtarët dhe politikanët, shkruan “New York Times”. Njerëzit që kanë vdekur së fundmi janë shumica të infektuar gjatë konfuzionit të shkaktuar një apo dy javë më parë.

Qeveria ka nxjerrë ushtrinë për të detyruar mbylljen e Lombardisë, rajonit verior që është qendra e shpërthimit. Të premten në mbrëmje, autoritetet urdhëruan izolim kombëtar, duke mbyllur parqet e duke ndërprerë aktivitetet jashtë shtëpive përfshirë ecjen e qytetarëve.

Të shtunën në mbrëmje, kryeministri Giuseppe Conte, njoftoi masa të tjera drastike në përgjigjen për atë që ai e quajti krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Italia ka vendosur të mbyllë të gjitha fabrikat dhe të ndalë prodhimin që s’është esencial, si sakrificë ekonomike për të parandaluar virusin e për të mbrojtur jetën e njerëzve.

“Shteti është këtu”, ka thënë ai si tentim për të siguruar publikun për përkrahjen institucionale.

Nëse eksperienca e Italisë tregon diçka, është se izolimi dhe limitimi i lëvizjes duhet të merret sa më herët, krahas urdhrave të tjerë strikt, shkruan “NYTimes”.