Trupat ruse filluan të avancojnë sërish në Ukrainë të shtunën pasi presidenti Vladimir Putin e ndërpreu ofensivën një ditë më parë në pritje të bisedimeve me Kievin që nuk ndodhën kurrë, njoftoi Kremlini, raporton Reuters.
Si Putin, ashtu edhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelenskiy folën për bisedime të mundshme të premten, por Ukraina tha se luftimet me trupat pushtuese ruse vazhduan të premten mbrëma dhe të shtunën, transmeton Reporteri.net.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitriy Peskov tha se pas urdhrit të Putinit, trupat ruse luftuan vetëm me “grupe nacionalistësh” në krahasim me forcat e rregullta ukrainase.
Ministria ruse e mbrojtjes mëngjesin e sotëm pohoi se rusët kishin pushtuar qytetin ukrainas Melitopol.
Peskov në një konferencë për media pohoi gjithashtu Rusia i kishte pritur sanksionet e vendosura nga Perëndimi në përgjigje të pushtimit dhe po merrte masa për të minimizuar ndikimin e tyre në ekonomi.
Në anën tjetër Presidenti ukrainas Volodmyr Zelensky tha sot se ushtria e vendit të tij kishte zmbrapsur me sukses forcat ruse që përparonin në Kiev dhe se pas një nate luftimesh brutale kryeqyteti vazhdon të jetë ende në duart e tyre.
Në një video-mesazh drejtuar kombit të rrethuar, Zelensky akuzoi Kremlinin për përpjekje për të marrë Kievin, për të përmbysur qeverinë dhe për të instaluar një regjim ‘kukull’ ‘si në Donetsk’, një nga dy rajonet separatiste që Vladimir Putin i njohu zyrtarisht përpara se të niste pushtimin.






