“Betohem para flamurit dhe para shokëve se detyrat, të cilat i parashtron grupi, do t’i kryej me besnikëri dhe nëse është nevoja edhe jetën do ta jap për realizimin e idealit tonë”

Ashtu siç edhe u betua me shokë në themelimin e grupit “Shqiponjat” (grup i organizuar për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti rrezikonte pasurinë dhe gjërat e njerëzve në Kosovë, duke mos lënë anash as strategjinë ushtarake), Ilir Konushevci, ra heroikisht më 9 maj 1998.

Para rënies heroike, veprimtaria e tij e lavdishme mori tjetër kthesë kur ai shkoi në Shqipëri dhe filloi të bashkëpunojë me heronjtë tjerë, në furnizimin me armatim në nivel të vendit.

Pikërisht atëherë kur në Kosovë ofensivat e ashpra paralajmëronin një luftë frontale, dhe pikërisht atëherë kur Kosovës iu duhej më së tepërmi armatimi, Konushevci vritet në një pritë të organizuar.

Vendi ku gjenerali e doktori i UÇK-së ranë në krye të detyrës
Që nga vrasja e tij, variantet e kësaj prite ishin të panumëruara. Por, njëri ndër furnizuesit kryesor të UÇK-së me armatim, Florin Krasniqi është i bindur se pas kësaj prite qëndrojnë shqiptarët dhe jo dora e zgjatur e Serbisë, ashtu siç thuhej në njërin nga variantet e lartë përmendur. Ai në emisionin n’Demos tha se shteti shqiptar është i informuar për të gjitha informacionet rreth kësaj vrasje, për të cilën edhe pas një çerek shekulli nuk ka marrë asnjë veprim, ndërsa, vrasësit që sipas tij janë ende gjallë shëtisin rrugëve të Tiranës, Belgjikës e New York-ut, shkruan GazetaDemos.

“Është dëshpërim i thellë që edhe pas 24 vjetësh, një çerek shekulli, shteti shqiptar i ka krejt informacionet, ama krejt, krejt…kush ka qenë, ku ka qenë, dhe nuk e fillon një hetuesi, nuk i arreston disa njerëz qe bredhin rrugëve të Tiranës gjithë ditën, apo të Belgjikës ose të New York-ut“, tha Krasniqi.

Krasniqi thotë se disa nga vrasësit e Ilir Konushevcit janë gjallë

“Dy janë vra, vëllëzërit Emiri. Njëri është vra aty, njëri më vonë, njëri ka vdek me duket, tre ose katër tjerë qe kanë qenë në bashkëpunim janë gjallë dhe shëndosh e rahat, kërkush nuk i ngacmon. Shteti shqiptar i din emrat, mbiemrat, ku jetojnë edhe çka bojnë edhe nuk i arreston“, u shpreh i frustuar ai.

Fajtori kryesor – shteti shqiptar (sipas Florin Krasniqit)

“Nuk dihet se kush ka qenë vrasësi, këta kanë qenë katër vetë në pritë, njëri është plagos e është kthy, kur janë kthy janë kthy me përforcime, i kanë marrë edhe tre tjerë, është histori shumë e gjatë, ky emision nuk mjafton me i shpjegu pjesëmarrësit, por fajtor kryesor për vrasjen dhe mos-zbulimin e vrasjes së Ilir Konushevcit është shteti shqiptar“

Arsyeja e vrasjes dhe emrat e vrasësve (sipas Florin Krasniqit)

“Bindja ime është se Beslim Demiri, Agim Demiri dhe tre njerëz tjerë që janë gjallë, kanë dalë atë natë me fitu pare, lekë…nuk është dora e zgjatur e Serbisë qysh bëjnë trillime e fantazi, NO. Ata kanë dalë për lekun edhe gjithçka ka shku keq edhe vazhdon me shku keq, qekjo është përgjigja ime“.

Një realitet i një ngjarje shumë të keq mes shqiptarëve (sipas Florin Krasniqit)

“Shteti shqiptar ka dështu edhe vazhdon me dështu për një qerek shekulli për mos-zbardhjen e vrasjes së Ilir Konushevcit, shumë e thjeshtë. Unë jam në dispozicion kurdo Prokuroria e Shqipërisë, një telefon ma bënë, katër orë mos me pas trafik jam në Prokurori të Shqipërisë. Me dokumente, me fotografi e me letra, me çka të dojnë. Kjo është çështje e Prokurorisë, jo e një studio televizive. Prokuroria nuk don me vepru, se po të vepronte atëherë shqiptarët kanë me e pa realitetin e një ngjarje shumë të keqe, shumë të keqe…që ka ndodhur mes shqiptarëve por jo prej dorës së zgjatur të Serbisë“

Krasniqi tha se njerzit gjithmonë duan të shfrytëzojnë një situatë për përfitime personale, për t’ia lënë fajin dikujt, vetëm për t’u ngritur personalisht, duke ritheksuar edhe një herë se grupi që ka dalë për ta vrarë Ilir Konushevcin kanë dalë për lekë dhe nuk është “dora e zgjatur e Serbisë”. /DEMOS/

Krasniqi gjithashtu tregon momentin kur u plaqkit edhe në oborr të Spitalit nën kërcënimin e kallashnikovit, duke ndërlidhur ngjarjet, rrëfimin e tij për lidhjen e familjes tropojane-Haklaj dhe shumë detaje tjera, mund t’i ndiqni këtu: