Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se Kosova do të përballet me një dimër shumë të vështirë. Sipas tij, kjo për faktin se janë rritur çmimet në mbi 100% dhe nuk ka asnjë veprim konkret nga Qeveria aktuale lidhur me këtë çështje.

Nga vizitat që është duke zhvilluar në të gjitha komunat e Kosovës, kreu i PDK-së thotë se një prej preokupimeve kryesore është ngritja e çmimeve.

“Dimri po vjen dhe nuk do të jetë fare i lehtë. Që nga vjeshta çdo parametër, te çdo paralajmërim ekonomik tregon që ne do të kemi një përshkallëzim në kuptimin negativ të situatës ekonomike dhe kjo do ta ndikojë drejtpërdrejtë dhe gjendjen e rënduar sociale. Nëse Qeveria nuk ndërmerr veprime konkrete sipas propozimeve që ne tashmë i kemi dhënë e të cilat mund të diskutohen do të merren vendime të përbashkëta në Kuvendin e Kosovës unë druaj se do të kemi një situatë më të vështirë sesa që e kemi pasur gjatë këtij viti dhe nuk është aspak e lehtë as sot. Në çdo anë të Kosovës ku ne po bëjmë vizita nëpër komuna sot një prej preokupimeve kryesore është ngritja e çmimeve. Është e papërballueshme që e kanë familjet kosovare për ta lidhur muaj me muaj dhe kjo do të rëndohet më tutje sepse kjo qeveri nuk e ka as vullnetin e as vizionin fatkeqësisht as aftësinë e kompetencave për të ndërmarrë veprime të drejta. Përkundër që ne kishim fituar në dy nivele të gjyqësorit të Kosovës lëndën tonë për ta anuluar vendimin krejtësisht të padrejtë dhe të paligjshëm për rritjen e tarifave të energjisë ndërsa Gjykata Supreme tani e ka kthyer në fuqi ne do të kemi një dimër shumë më të vështirë e sidomos nëse do të jetë një dimër i ftoftë siç parashikohet të jetë”, ka thënë ai.

Kreu i opozitës vë theksin në ngritjen e çmimeve të lëndëve djegëse siç është peleti dhe druri, duke thënë se Qeveria nuk po merr asnjë veprim për uljen e këtyre çmimeve.

Mes tjerash, Krasniqi theksoi se që nga marrja e mandatit në fillim të vitit 2021, kjo Qeveri pothuajse e ka suspenduar politikën e jashtme, duke theksuar se ka vetëm vizita turistike, por asnjë rezultat konkret. Sipas tij, Kosova ka ministre të Jashtme, por efektet janë të barabarta me zero.

Sa i përket rritjes ekonomike, Krasniqi potencoi se pritjet janë që për vitin 2022 do të jetë 2.9%.

“Rritja ekonomike është shumë e vogël se inflacioni dhe pritjet për vitin 2022 janë që rritja mund të jetë 2.9%, por inflacioni do të vazhdojë të jetë në nivelin dy shifror. Krejt çka ka ndodhur është tendencë e populizmit siç ishte prezantimi me togfjalëshin një të punësuar në çdo familje pa dhënë dëshmi se sa familje nuk e kanë asnjë të punësuar dhe cila do të jetë kostoja dhe efekti. Janë komplet jo kompetent dhe poashtu jo koherent në ato që thonë”, përfundoi ai. /EO