Në “Përballje ditore” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com, të martën ka folur infektologu, Valbon Krasniqi i cili që nga shkurti i këtij viti është duke përcjellë gjendjen me pandeminë COVID-19, ku sqaroi se pse është rritur numri i të infektuarve me COVID-19 në Kosovë gjatë javës së fundit.
Krasniqi tha e është e pritshme të rritet numri i të infektuarve me COVID-19, krahas rritjes së numrit të testeve të cilat po bëhen në Institutin e Shëndetësisë Publike të Kosovës.
“Është e vërtetë që është rritur numri i të infektuarve në javën e fundit, krahas numrit të testeve që janë bërë javën e fundit, në mënyrë paralele është rrit edhe numri i personave që kanë rezultuar pozitiv dhe kjo është e pritshme”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se duhet marrë parasysh se Kosova gjendet në javën e gjashtë apo shtatë të pandemisë, ndërsa theksoi se është e vështirë të gjenden të gjitha rastet e kontaktit.
“Kjo është e pritshme po ashtu, sepse Kosova gjendet në javën e gjashtë, shtatë e të tetë. Të mos harrojmë se Kosova i pati rastet e para më 13 mars, ndërkohë që ajo është data kur janë konfirmuar, pra janë gjetur pozitiv. Është e vështirë në mungesë të informatave të sakta, në kuptim të asaj që në rastet e kontaktit, edhe pse është rritur numri i testeve, është shumë e vështirë të parashikohet me saktësi ecuria e pandemisë dhe koha kur do ta kemi numrin më të madh. Por ajo që po shihet është që këtë javë kemi pasur numër më të madh të të infektuarve , edhe mbase mund të presim në vazhdim të kësaj jave numër të madh të të infektuarve”, tha Krasniqi.
Sipas infektologut, për qytetarët është shumë me rëndësi të dinë se vetëm deri në 25 për qind të të infektuarve mund të kenë nevojë për tu shtrirë në spital.
“Janë rreth gati 600 janë të infektuar e vetëm 120 kanë pasur nevojë për trajtim në Klinikën Infektive, kjo është e rëndësishme për qytetarët ta dinë se sa prej tyre të infektuarve kanë nevojë të shtrihen në spital. Kjo përputhen edhe me statistikat e shteteve të tjera, ku rreth 20 deri 25 për qind e pacientëve të infektuar mund të zhvillojnë sëmundje dhe të kenë nevojë për shtrim në spital”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi tha se daljet nga shtëpitë, mund të bëhen, vetëm nëse virusi sillet me të njëjtat karakteristika sikur në shtetet tjera, dhe nëse respektohen masat parandaluese.
Ai përmendi gjysmën e dytë të muajit maj si kohë kur ndoshta do të ofrohet mundësia për të qenë më të relakasuar sa i përket daljes jashtë.
“Krejt kjo varet nga sjellja e qytetarëve. Rastet që po konfirmohen tani janë rezultat i sjelljeve të qytetarëve i dy javëve më herët, ndërkaq mënyra se si do të sillemi tani si qytetar do të reflektohet në fund të muajit prill, eventualisht në fillim të muajit maj. Nëse virusi do të sillet me të njëjtat karakteristika si nëpër shtetet e tjera, dhe nëse ne si qytetarë respektojmë në masë më të madhe rekomandimet për t’ju shmangur kontaktit me anëtarët e tjerë të familjes, është e natyrshme se mbase në gjysmën e dytë të muajit maj të marrim frymë më lirshëm, po e them edhe njëherë se kjo varet nga sjellja e qytetarëve”, tha Krasniqi.
Edhe pse, Krasniqi tha se një pasqyrë më të qartë për situatën me pandeminë, mund ta kenë Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ai si klinicistë tha se është e logjikshme të pritet relaksim i situatës, në gjysmën e dytë të majit.
“Ne si klinicistë, do të donim që sa më shpejt të shihnim një reklasim të situatës. Presim dhe është e logjikshme që të presim që muaji maj të na gjej më të relaksuar, duhet të punojmë shumë që të ndodh kjo, jo vetëm ne por edhe ekipet në terren por edhe qytetarët. Sa më shumë të respektojmë masat, sa më shumë të shmangim kontaktin me persona të tjerë jashtë familjes, aq më lehtë do të mund të kalojmë këtë periudhë”, tha Krasniqi.