Këshilli Prokurorial dhe Prokrori i Shtetit kanë reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilët thanë se dhunuesit seksualë dënohen vazhdimisht me kusht ose u parashkruhet lënda.

Tutje, ata kanë theksuar se deklarimet e kryeministrit e ministres demantohen nga raportet zyrtare.

“Faktikisht, këto prononcime publike të Kryeministrit dhe Ministres së Drejtësisë për parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale në Prokurori, demantohen tërësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokurorial.”, theksuan nga KGJK dhe Prokurori i Shtetit.

“Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale përgjatë vitit 2020, 2021 dhe gjashtëmujorit të parë të vitit 2022, është parashkruar vetëm një (1) rast që ka pasur të bëjë me dhunën seksuale.”, thuhet tutje në reagim.

Këto dy institucione i cilësojnë si të pasakta deklaratat e Kurtit e Haxhiut.

Në këtë rast, theksojmë se informacionet e deklaruara sot nga kryeministri janë të pasakta, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë krejtësisht tendencioze për sistemin prokurorial. KPK dhe Prokurori i Shtetit ia bëjnë me dije Kryeministrit dhe Qeverisë se statistikat zyrtare nuk hartohen me paragjykime, por verifikohen, analizohen me profesionalizëm dhe miratohen në takimet e hapura për publikun nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës”, thuhet në reagimin.

“Për më tepër, ky deklarim i pasaktë dhe tendencioz i Kryeministrit, shpreh nevojën që Kryeministri i vendit të bashkëpunojë dhe bashkëveprojë me sistemin prokurorial në suaza të kompetencave përkatëse, duke respektuar normat dhe standardet e funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës”, përfundon reagimi.