Këto ditë është raportuar se investimet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) po përjetojnë periudhën më të keqe këtë vit. Rënia e investimeve të këtij institucioni përgjatë periudhës janar-korrik 2022 ka arritur në 161.7 milionë euro. Për këtë çështje Trusti sot ka dalë më një sqarim.

Zyrtarët e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, i njohur shkurt si TRUST, e kanë pranuar zyrtarisht se investimet në këtë fond po përjetojnë periudhën më të rëndë këtë vit si rrjedhojë e krizës në tregjet financiare ndërkombëtare.

Mirëpo, në një sqarim të lëshuar sot kanë treguar se këto nuk mund të cilësohen humbje.

Sipas tyre këto janë vetëm disa lëvizje në investime.

“Për shkak të disa raportimeve këtyre ditëve për humbjet, Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës sqaron se lëvizjet e vlerës së investimeve të FKPK-së ndryshojnë përditshëm dhe si të tilla nuk mund të cilësohen si humbje por rënie të vlerës së investimeve. Njëherësh rëniet dhe ngritjet janë pjesë e natyrshme e tregjeve financiare sipas zhvillimeve aktuale në botën makrofinanciare dhe gjeopolitike”, thuhet në sqarim e tyre.

Ky është sqarimi i plotë:

Për shkak të disa raportimeve këtyre ditëve për humbjet, Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës sqaron se lëvizjet e vlerës së investimeve të FKPK-së ndryshojnë përditshëm dhe si të tilla nuk mund të cilësohen si humbje por rënie të vlerës së investimeve. Njëherësh rëniet dhe ngritjet janë pjesë e natyrshme e tregjeve financiare sipas zhvillimeve aktuale në botën makrofinanciare dhe gjeopolitike

Këto rënie do të shndërrohen në humbje të realizuara vetëm nëse FKPK-ja i shet investimet dhe i tërheq mjetet, që do të rezultonte në pamundësi rikuperimi e ngritjeje në të ardhmen.

Për t’i ilustruar më mirë lëvizjet periodike, duhet kujtuar se në vitin 2021 FKPK-ja kishte kthim bruto prej +227 milionë euro nga investimet. Gjithashtu aktualisht FKPK-ja ka një ngritje të çmimit të aksionit prej rreth 65% nga themelimi i institucionit, që dëshmon funksionin afatgjatë që e ka strategjia e investimeve.

Sa i përket këtij viti (2022) performanca e periudhës janar-qershor është e pritshme, me ambientin aktual të luftës në Ukraine, krizës energjetike dhe inflacionit dyshifror. Përveç kësaj, pas 30 qershorit kemi pasur ngritje të vlerës së investimeve të FKPK-së, dhe deri në datën e fundit në dispozicion (31 gusht 2022), portofoli “Standard” ka pasur rikuperim prej +3%.

Përkundër se kemi rënie të vlerës sivjet, investimet e FKPK-së ranë dukshëm më pak sesa vlera e indekseve kryesore botërore. Për krahasim, deri më 31 gusht 2022, çmimi i aksionit të FKPK-së u zhvlerësua për -4.5%, kurse indeksi i MSCI Ëorld ra me -16%, ai i S&P500 me -18% dhe STOXX 600 me -15%.

Këto argumente janë për të qartësuar se për kontribuuesin është e rëndësishme që të analizohet gjendja e llogarisë së kursimeve pensionale nga fillimi e deri në datën aktuale, e jo vetëm për një vit kalendarik – pasi edhe institucioni investon me synime afatgjata.

Efektin e plotë të investimeve një kontribuues në FKPK e realizon drejtpërdrejt vetëm kur pensionohet. Pikërisht që mos të ketë dëmtim të interesit të kontribuuesve afër pensionimit, Bordi Drejtues i FKPK-së e ka plasuar portofolin investues Konservativ, që mbron në maksimum mjetet e akumuluara të kontribuuesve të moshës 63.5 vjeçare e lart. Të njëjtëve iu investohen mjetet vetëm në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës, që kanë interes të paracaktuar. Për këtë vit ky portofol (Konservativ) kishte kthim pozitiv nga investimet prej +1.8%.

Bordi Drejtues gjatë vitit 2022 ka bërë maksimumin e mundshëm, duke i lëvizur mjetet në pozitën më mbrojtëse dhe plasuar shumicën e mjeteve në instrumente me rrezik shumë të ulët. Aktualisht rreth 46% e të gjitha mjeteve (ose mbi 1 miliard euro) janë të investuara në tregun e parasë së gatshme, depozitat bankare në Kosovë dhe letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës.

Me këtë rast, duam t’i sigurojmë kontribuuesit se në afatgjatë investimet e tyre janë duke u bërë në mënyrën më të kujdesshme dhe gjithnjë bazuar në parimet e Ligjin mbi Fondet Pensionale. Kjo vërtetohet me perfomancën pozitive në afatgjatë, që secili kontribuues mund ta verifikojë përmes llogarisë personale./Demokracia.com/.