Kosova ka arkëtuar pikët e plota në sfidën e sotme kundër Maltës në Ligën e Kombeve.
3 me 1 ishte rezultati përfundimtar i takimit që u zhvillua në “Fadil Vokrri”, e takimi u dominua nga Kosova që nga minuta e parë.
Futbollistët e Kosovës patën paraqitje fantastike, e krijuan shumë raste shënimi në këtë takim.
Benjamin Kololli shënoi golin e epërsisë në minutën e 30-të takimit pas asistimit nga Valon Berisha.
Në pjesën e dytë mysafirët e nisën më mirë takimin duke barazuar shifrat përmes Agiusit në minutën e 51.
Por, Kosova u kundërpërgjigj përmes Vedat Muriqit që riktheu epërsinë e Kosovës në minutën e 68-të.
Pas dy minutave mysafirët mbetën me një lojtar më pak në fushë kur Michael Mifsudi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Me një lojtar më tepër në fushë Kosova arriti të shënojë edhe një gol. Ishte Kololli që shënoi gol të bukur në minutën e 81 pas asistimit nga Milot Rashica.
Kosova vazhdon të jetë lider në Grupin 3 të Ligës D me shtatë pikë, derisa Malta në vendin e fundit ka 1 pikë./Llapi.info






