Deklarata e zyrtarit të Departamentit të Shtetit Amerikan, Philip Reeker, se SHBA-të janë të gatshme të përfshihen në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, po cilësohet si “reagim i drejtëpërdrejtë” ndaj iniciativës së Francës për shtrirjen e ndikimit në Ballkan dhe rifillimit të procesit të dialogut.

Gazeta serbe, “Danas”, duke u bazuar në burimet e veta, shkruan sot se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump nuk do t’i pengojë përpjekjet e Francës dhe Gjermanisë për ‘ringjalljen e dialogut’, dhe arritjen e një marrëveshjeje finale mes dy vendeve, shkruan lajmi.net.

“Qëndrimet e SHBA-ve për problemin e Kosovës nuk ndryshojnë fundamentalisht nga ato të Francës. Të dy palët mendojnë se duhet gjetur një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se dy vendet duhet ta njohin njëra tjetrën. Ani pse Macron e Trump kanë këndvështrime të ndryshme për Iranin, dhe çështje tjera si ndryshimet klimatike, presidenti amerikan nuk do t’i pengojë përpjekjet e Francës në këtë proces”, theksojnë këto burime.

Gjatë ditës së djeshme u raportua se Franca do të tentojë të rris ndikimin e saj në Ballkanin Përendimor me dërgimin e një personi të besueshëm të presidentit Macron në rajon.

Sipas këtyre raportimeve, i njëjti do të jetë edhe në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, burimet e lajmi.net kanë treguar se vazhdimi i Samitit të Parisit do të ndodhë, për shkak të rritjes së vullnetit të palëve për gjetjen e një marrëveshjeje, mirëpo se ende nuk ka datë të saktë për këtë.

Burimet konfirmojnë se Qeveria e Kosovës pret nga Gjermania e Franca të intensifikojnë marrëveshjet e tyre për ringjalljen e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes finale.

Mbajtja e Samitit të Parisit, po cilësohet si vendi ku pritet të marrë epilog final, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin ishte diskutuar edhe në takimin e fshehtë të Berlinit.