Pa tetë lojtarë, Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur stërvitjen e parë për dy ndeshjet kualifikuese për kampionatin evropian të vitit 2020, atë kundër Çekisë dhe Anglisë.
Për shkak të ndeshjeve me klubet e tyre, të hënën munguan dy portierët Arijanet Muriqi dhe Samir Ujkani, mbrojtësit Amir Rrahmani, Fidan Aliti dhe Mergim Vojvoda, mesfushorët Idriz Voca e Besar Halimi, si dhe sulmuesi Vedat Muriqi.
Stërvitja e parë ishte e lehtë, meqë lojtarët vinin nga ndeshjet e zhvilluara në fundjavë. Për herë të parë me Kosovën ishte edhe Florent Muslija, kurse pas një kohe të gjatë është kthyer edhe Valon Berisha, raporton KTV.
Por, Kosovës në ndeshjen me Çekinë dhe Anglinë, për shkak të lëndimeve, do t’i mungojnë pesë lojtarë të ekipit bazë, Milot Rashica, Arbër Zeneli, Benjamin Kololli, Hekuran Kryeziu dhe Herolind Shala.
Në fund të stërvitjes së lehtë, futbollistët e drejtuar nga përzgjedhësi Bernard Challandes, provuan edhe disa gjuajtje nga afërsia e 16 metërshit.
Pas stërvitjes që zgjati për një orë, futbollistët Anel Rashkaj dhe Valon Berisha gjatë konferencës premtuan maksimumin.
Si Rashkaj, ashtu edhe Berisha, kanë thënë se Kosovën e presin dy ndeshje të rëndësishme.
Rashkaj dhe Berisha kanë theksuar se Kosova nuk do të duhej ta ndryshonte mënyrën e lojës, e që është ofensive.
Ndeshjen e parë “Dardanët” luajnë më 7 shtator ndaj Çekisë në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 15:00, ndërsa pas tri ditësh në udhëtim ndaj Anglisë.






