Nuk është shfaqur shumë respekt në Federatën e Futbollit të Anglisë, kur është vendosur për vendin se ku do të luhet ndeshja ndaj Kosovës. Nuk është shfaqur respekt për përfaqësuesen e Kosovës dhe kjo është vënë në pah nga media serioze angleze këtë javë.
Ndeshjen e 10 shtatorit, Federata e Futbollit e Anglisë ka vendosur ta organizojë në stadiumin “St. Mary’s” në Southampton, që ka kapacitet prej vetëm 32 mijë ulëseve. Më 7 shtator Anglia e pret Bullgarinë në “Wembley”, që ka kapacitet prej afro 90 mijë ulëseve, shkruan sot Koha Ditore.
Në “St. Mary’s”, Anglia nuk ka luajtur prej vitit 2002, ndërsa jashtë “Wembley” nuk ka luajtur ndeshje zyrtare që nga viti 2006. Federata e Anglisë asnjëherë nuk ka treguar pse ka vendosur që ndeshjen me Kosovën ta organizojë në një stadium të vogël. Por mediat angleze kanë lënë të kuptohet këtë javë që ky mund të ketë qenë një vendim i gabuar.
Është respekti që ka fituar Kosova në periudhën e fundit që ka sjellë vlerësime të tilla. Kosova është në seri prej 14 ndeshjeve pa humbje dhe tashmë ka fituar respektin e të gjithë rivalëve në grup. Ka fituar edhe respektin e UEFA-s, e po ashtu edhe të mediave me peshë ndërkombëtare.
Çekia po e llogarit Kosovën rivalen kryesore të saj
Të hënën Kosova shënoi vetëm fitoren e parë në ndeshje kualifikuese për botëror apo evropian. Fitoi 3:2 ndaj Bullgarisë në Sofje. Këtë vit ka edhe tri barazime me përfaqësuese të respektuara evropiane.
Ka luajtur 1:1 në udhëtim me Malin e Zi javën e kaluar, 1:1 me Bullgarinë në Prishtinë në mars dhe 2:2 me Danimarkën e fuqishme, në miqësoren e luajtur në mars, po ashtu në Prishtinë. Dhe këto rezultate, e për më tepër paraqitja dominuese në fushë në të gjitha këto ndeshje, ka bërë që sukseset e vitit të kaluar, të vlerësohen të drejta.
Vjet Kosova ka pasur përballë rivalë jo të nivelit të Danimarkës, por ka shkëlqyer po ashtu në fushë në shumicën e ndeshjeve….(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)