Ekspertët globalë të sigurisë nga “International SOS”, në bashkëpunim me “Control Risks”, kanë zhvilluar një hartë interaktive në të cilën kanë vendosur vendet me rrezikshmërinë më të lartë për udhëtim gjatë vitit 2019.

Ndonëse kësaj liste i prin Siria si vendi më i rrezikshëm në botë për udhëtim, si pasojë e luftës atje, në rajonin tonë është Kosova që kryeson, bashkë me një pjesë të Serbisë.

Raporti i kompanisë në fjalë thotë se i tërë territori i Kosovës, bashkë me një pjesë të Serbisë që kufizohet me Kosovën (Novi Pazari, Zenica, Prijepolja, Nova Varoshi e Priboji), janë në shkallën e mesme për kah rrezikshmëria, ndërsa shtetet tjera të rajonit janë me rrezikshmëri të ulët.

Shteti me rrezikshmërinë më të ulët në rajon është Sllovenia.

KLIKONI KËTU PËR TË PARË HARTËN INTERAKTIVE

Në kategorinë e parë kanë arritur të hyjnë një numër shumë i vogël i vendeve, aty ku rrezikshmëria është shumë e ulët, e ato janë: Luksemburgu, Danimarka, Sllovenia, Zvicra, Norvegjia, Finlanda, Islanda dhe Grenlanda.

Shumica e shteteve evropiane vlerësohen si vende me nivel të ulët të rrezikut, ndërsa në këtë kategori janë edhe Irani, Jordani, Omani, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Gjeorgjia, Azerbajxhani, Armenia, Uzbekistani, Kanadaja, SHBA-ja dhe Zelanda e Re./Koha.net