Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, mendon se ka ardhur koha që përfaqësuesit politikë të largohen nga politikat tradicionale tregtare dhe të mendojnë se si të ndërtojnë një shtet të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për gjeneratat e ardhshme.

Në një intervistë për Radio Kosovën, Redaksia për komunitete, Ambasadori Kosnett tha se Lista Serbe është një realitet politik në Kosovë dhe se të drejtat e të gjitha komuniteteve, duhet të respektohen.

Ambasadori amerikan përsëriti qëndrimin se Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve, sepse me normalizim të marrëdhënieve të ndërsjella, të dyja vendet do të tërheqin më shumë investime nga jashtë. Kosnett ka shtuar se SHBA do të shqyrtojë çdo marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe çështjen e përshtatjes së territorit, por vetëm deri në atë masë kur ka mbështetje nga të dyja palët. Ambasadori Kosnett foli edhe për rëndësinë e Dhomave të Specializuara në Hagë si dhe rolin e SHBA-së në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Intervista e plotë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Z. Ambasador, si i vlerësoni negociatat e deritashme ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës?

Kosnett: Unë besoj në të dyja palët. Lëvizja Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë të angazhuara për ndërtimin e një koalicioni që do të përfaqësojë në mënyrë efektive gjithë popullin e Kosovës. Unë mendoj se më 6 tetor, populli ka votuar për ndryshime, dhe këto parti, janë të përkushtuara për një gjë të tillë. E rëndësishme është që të dini se ky koalicion i ri qeverisës, duhet të përfshijë përfaqësues jashtë këtyre dy partive. Disa ditë më parë, unë takova përfaqësuesit e komuniteteve pakicë jo-serbe dhe besoj se ata gjithashtu janë të gatshëm që të largohen nga politika tradicionale, në të vërtetë, të përpiqen që të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për këtë vend.

Grupet punuese të Vetëvendosjes dhe të LDK-së kanë njoftuar se kanë rënë dakord 100% për programin e tyre, por duket se arritja e marrëveshjes nuk është e lehtë?

Kosnett:Ka pasur shumë deklarata publike dhe spekulime për natyrën e këtyre bisedimeve, dhe dua të tërhiqem nga komentimi i tyre; nuk kam koment për këtë temë. Qeveria ime është e bindur që kjo do të funksionojë dhe ne jemi më të interesuar që të diskutojmë për përparimin dhe për të ardhmen e vendit se sa për këto detaje politike.

Pyetja ndoshta mund të jetë hipotetike, por nëse të dyja palët nuk arrijnë një marrëveshje, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja. A mund të përballojë Kosova zgjedhje të reja?

Kosnett:Mundësitë janë shumë të vogla që kjo të ndodhë. Por, siç theksuat edhe ju, kjo pyetje është hipotetike dhe le ta lëmë kështu. Unë mendoj se Vetëvendosja dhe LDK dhe partitë e tjera e kanë mundësinë për të krijuar një qeveri që do të bëjë gjëra të mëdha për këtë vend. Mendoj se Vetëvendosje dhe LDK, si dhe partitë e tjera, e kanë rastin që të formojnë një qeveri e cila do të bëjë gjëra të mëdha për këtë vend. Madje, edhe partitë të cilat nuk do të jenë pjesë e qeverisë së re, ato që kanë mbetur në opozitë, kanë në rol të rëndësishëm. Duke menduar për unitet të vendit, duhet të kërkohet rasti për një bashkëpunim konstruktiv me qeverinë. Qëndrimi jonë është se i gjithë populli i vendit, e ka rolin e vet. Shumë herë kemi folur për rolin e partive politike, por njerëzit në sektorin privat, ata nga shoqëria civile si dhe qytetarë të thjeshtë dhe mediet, të gjithë kanë të drejtën dhe përgjegjësinë që zëri i tyre të dëgjohet.

Si e sheh SHBA-ja Albin Kurtin si kryeministër të ardhshëm ?

Kosnett:Mendoj se z. Kurti e di se për të qenë kryeministër, është shumë më ndryshe se sa të jetë lider opozitar. Mendimet e tij shumë shpejt po përparojnë, dhe mendoj se ai do të provojë që të afrohet me të tjerët me qëllim që të ndërtojë një qeveri gjithëpërfshirëse, si dhe të ndërmarrë një hap konstruktiv përpara në të gjitha fushat që SHBA i konsideron të rëndësishme për Kosovën. Çfarë po nënkuptoj me këtë: Ne po bisedojmë për prioritetet tona për Kosovën të cilat janë shndërruar në mbështetjen e qytetarëve të Kosovës në ndërtimin e paqes, prosperitetit dhe drejtësisë. Paqja, drejtësia, prosperiteti. Me paqe nënkuptojmë përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët, me vendet fqinje, por edhe marrëdhëniet më të mira midis komuniteteve në Kosovë. Kur flasim për drejtësinë, bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit, e që ishte pjesa kryesore e madhe gjatë fushatës zgjedhore këtë vit. Po ashtu, i rëndësishëm është ndërtimi i një shoqërie të barabartë për të gjithë, mundësi të barabarta, të drejta të barabarta para ligjit, pavarësisht nga bashkësia, gjinia dhe orientimi i tyre. Ndërsa kur bëhet fjalë për prosperitetin, çelësi është zhvillimi ekonomik, që do të nxjerrë energjinë dhe krijimtarinë e sektorit privat. Investimet e huaja janë të rëndësishme dhe ne mendojmë se marrëdhëniet e përmirësuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të çojnë në investime më të mëdha të huaja. Në të njëjtën kohë, Kosova nuk duhet të neglizhojë energjinë dhe kapacitetin e njerëzve të saj, dhe kur bëhet fjalë për prosperitetin, çelësi është zhvillimi ekonomik që do të nxjerrë në sipërfaqe energjinë dhe krijimtarinë e sektorit privat. Investimet e huaja janë të rëndësishme dhe ne mendojmë se marrëdhëniet e përmirësuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të çojnë në investime të huaja më të mëdha. Në të njëjtën kohë, Kosova nuk duhet të neglizhojë energjinë dhe aftësitë e popullit të saj .

Sipas Kushtetutës së Kosovës, një post ministror i përket komunitetit serb, në këtë rast ai duhet të jetë Lista Serbe. A e shihni Listën Serbe në qeverinë e ardhshme të Kosovës, duke pasur parasysh që Kurti tha se ai më mirë do t’i linte ata në opozitë?

Kosnett:Mendoj se z. Kurti shumë mirë e kupton Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe realitetin politik të Listës Serbe. Unë nuk shoh ndonjë mënyrë se si ky vend mund të përparojë pa u dëgjuar komuniteti serb, si dhe gjithë të tjerët. Lista Serbe është një zë shumë i rëndësishëm.

Një ministri tjetër do duhej të ndahej për komunitetet e pakicave të tjera, si e vlerësoni pozicionin e komuniteteve të tjera në Kosovë?

Kosnett:E përsëris, se unë nuk jam palë dhe as nuk jam i përfshirë direkt në negociata midis palëve, por jam takuar me përfaqësuesit e partive të pakicave. Mendoj se ata janë kryesisht optimistë për qeverinë e re dhe mendoj se do të ketë bashkëpunim, si midis komuniteteve pakicë dhe midis partive minoritare dhe elementeve të tjerë të qeverisë. Natyrisht, tani kemi mjaft negociata dhe bisedime dhe që është krejtësisht normale. Nëse ju kujtohet, ka pasur raste kur pas zgjedhjeve, me muaj qeveria nuk mund të formohej. Unë mendoj se ky proces do të shkojë shumë më shpejt tani.

Ju u takuat me udhëheqësit e komuniteteve pakicë dy ditë më parë, për çfarë tjetër keni biseduar ?

Kosnett:Ne biseduam për të ardhmen e vendit dhe se si të gjithë në Kosovë, të gjithë ata që janë në politikë, nuk duhet të mendojnë vetëm për të ardhmen individuale politike, jo vetëm për komunitetin të cilit i përkasin, por edhe për mirëqenien e të gjithë vendit. Unë u thashë atyre se sa e rëndësishme është që njerëzit të largohen nga kjo politikë tregtare tradicionale e tregtisë dhe aleancës që vërtetë të mendojnë se si të ndërtojnë shtet paqësor, të së drejtës dhe prosperitetit për gjeneratat e e ardhshme. Është një mesazh që njerëzit e mbështesin. Kjo është porosia të cilën populli e mbështet.

Çfarë prisni nga qeveria e ardhshme, cilat duhet të jenë prioritetet kryesore?

Kosnett:Mendoj se ishte e qartë në fushatën zgjedhore, populli është përqendruar në luftimin e korrupsionit dhe ndërtimin e një sistemi ligjor të cilit të gjithë mund t’i besojnë. Njerëzit janë të shqetësuar për mungesën e vendeve të punës dhe për mundësitë ekonomike, edhe pse Vetëvendosje dhe LDK, tradicionalisht kanë s’përputhje rreth ideologjive ekonomike, shpresoj se ato do të gjejnë një mënyrë për të gjetur energjinë e duhur për sektorin privat, që është i rëndësishëm. Përfundimisht, unë besoj, Qeveria ime beson me ngulm se Qeveria e Kosovës duhet të përgatitet që të kthehet në tryezën e bisedimeve me Serbinë për dialog. Ne gjithashtu mendojmë se Kosova duhet të shfrytëzojë përparësitë për mundësinë që të ulet në një pozitë të barabartë me vendet e tjera të rajonit dhe të diskutojë propozimin e të ashtuquajturës “mini-Shengen”. Ne nuk besojmë se është e mundur të flasim për një të ardhme të prosperuar ekonomike për rajonin, e që Kosova të mos luajë rolin në formësimin e asaj të ardhëm. Poenta ime është që ne të besojmë se të gjitha këto çështje – paqja, drejtësia dhe prosperiteti – duhet të trajtohen së bashku.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar për një vit, për shkak të taksës 100 për qind të importit të mallrave nga Serbia. Tani po dëgjojmë nga z. Kurti se në vend të taksës, do të futen disa masa të tjera. A do të ndikojë kjo në dialog?

Kosnett: Qëndrimi i qeverisë sime është që Kosova të suspendojë taksën, Serbia duhet të suspendojë fushatën për tërheqjen e njohjes dhe të gjithë duhet të kthehen në tryezë. Qëllimi këtu nuk duhet të jetë krijimi i barrierave të reja për tregtinë, investimet dhe bashkëpunimin, por gjetja e mënyrave për të shkatërruar barrierat ekzistuese. Kur Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë ulen dhe flasin, ata duhet të mendojnë për mënyra për të përmirësuar bashkëpunimin midis dy vendeve.

Si do të duhej të duket marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Kosnett: Në radhë të parë, marrëveshja duhet të jetë e pranueshme për popujt e të dyja palëve, jo vetëm për politikanët, por ne besojmë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse do të krijojë mundësi për tregti më të madhe, për më shumë investime, zvogëlimi i barrierave për partneritetin ekonomik, bashkëpunimi për zbatimin e ligjit, mundësitë që të ripërtërihen hetimet për rastet e personave të zhdukur dhe krimeve të tjera nga e kaluara që mund të jenë kryer nga njerëz që vijnë nga komunitete të ndryshme. Gjëja më e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë, është që ato të ndërtojnë një të ardhme pa e parë njeri-tjetrin si armiq dhe kundërshtarë, por si partnerë. Ne e dimë që mbetet shumë për t’u bërë, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të ndërtojnë një të ardhme të tillë, e për këtë, koha është tani që të nisemi.

Presidentët, i Kosovës dhe ai i Serbisë, kanë biseduar për demarkacionin ose shkëmbimin e territorit, a do ta mbështesë SHBA-ja një zgjidhje të tillë?

Kosnett:Ju falënderoj përsëri për mundësinë që edhe një herë të sqarojë qëndrimin e SHBA-së lidhur me çështjen rreth shkëmbimit të territoreve, sepse mendoj se kjo çështje nuk është kuptuar mirë. Disa zyrtarë të administratës së SHBA-së kanë deklaruar se nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, në të cilën përfshihet edhe çështja për rregullim të territorit, ne nuk do ta refuzojmë atë, do ta shqyrtojmë atë, por marrëveshja e tillë duhet të jetë e pranueshme për popujt e të dyja vendeve. Është e dukshme se në Kosovë për këtë çështje, ka pak apetite te çdo komunitet, për shkëmbime të mëdha të popullsisë ose ndryshime të mëdha kufitare. Unë këtë nuk e shoh. A është e mundur që pasi që dialogu të vazhdojë të ketë disa bisedime teknike për demarkacionin dhe kufirin, mbetet tek Kosova dhe Serbia të vendosin për këtë. E përsëris, këtë ne nuk do ta hedhim poshtë, si diplomat profesionist mendoj se është e rëndësishme për negociatorët se mund të bisedojnë për problemet, por do të ishte më mirë që sa më pakë të ekzistojnë kufizimet lidhur me bisedimet, do të ishte më mirë.

Dhomat e Specializuara në Hagë, kohët e fundit po e intensifikojnë punën e tyre, çfarë prisni nga ajo gjykatë?

Kosnett:Gjykata Speciale luan një rol të rëndësishëm, jo ​​vetëm në procesimin e drejtësisë ndaj individëve, por edhe në dëshminë se Kosova si komb, nuk ka frikë që të shikojë në të kaluarën. Është një institucion i rëndësishëm dhe unë mendoj se do të vazhdojë të dëshmojë vlerën e tij në muajt në vazhdim.

Cili është roli i SHBA-së në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Kosnett: Administrata amerikane është e përkushtuar që të mbështesë dialogun dhe të gjitha përpjekjet për ndërtimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sapo të arrihet një marrëveshje nga palët, do të jemi aty për të ndihmuar që të sigurojmë se të dy palët do t’i mbajnë premtimet e tyre. Qytetarët e Kosovës, të gjitha komunitetet, mund të jenë të sigurt se SHBA do të jenë me ju në çdo hap.