Kriza e koronavirusit ka detyruar prodhuesit e mëdhenj të automobilave që të përshpejtojnë pushimet nga puna të njerëzve e që duhet të mbështeten në pagesa të majme e negociata të shkathëta për të ruajtur përkrahjen e sindikatave të fuqishme nëse industria e automobilave në Evropë shkon drejt veturave pa emetim gazrash, shkruan Reuters.
Për shkak të pandemisë COVID-19 dhe një ngadalësimi më të gjerë ekonomik, kërkesa për automobila pritet të tkurret për 36 milionë në nivel global deri në fund të 2022-s, sipas kompanisë konsulente “AlixPartners”.
Vetëm për sivjet kjo është ekuivalente e një tregu të madhësisë sa të Evropës që zhduket, ka thënë “AlixPartners”, transmeton KOHA.
Tkurrja rrit kërcënimin ekzistues për vendet e punës nga automobilat elektrikë, që janë më lehtë për t’u prodhuar, por edhe më shpejt në krahasim me motorët me djegie. Po ashtu, ata kanë përkrahjen e qeverive gjermane e franceze me shtetet që janë vënë pas rikuperimit kah e gjelbra.
“Sapo që konsensusi mes liderëve të sindikatave dhe menaxhmentit bie poshtë, është tejet e vështirë të implementohen ristrukturimet në Evropë”, ka thënë Stefan Bratzel, profesor në Qendrën për Menaxhim të Automjeteve, në Bergisch Gladbach të Gjermanisë.
Ai ka cituar konfliktin mes liderëve sindikalistë të Gjermanisë dhe “General Motorsit”, të cilit konflikt iu deshën 10 vjet që të çonte në mbylljen e fabrikës së “Opelit” në Bochum të Gjermanisë, edhe pse ishte njoftuar për këtë më 2013.
“Brendi ishte dobësuar nga kjo paralizë”, ka thënë ai.
Një përplasje për shpejtësinë e ristrukturimit tashmë ka bërë që përfaqësuesit e punëtorëve të “qetësojnë” muskujt, duke çuar në përjashtimin e shefit ekzekutiv Herbert Diess nga pozita e kreut të brendit bërthamë të kompanisë “VW”.
Përfaqësuesit e punëtorëve kanë gjysmën e ulëseve në Bordin e Drejtorëve në “VW”, që nënkupton se kanë të bëjnë edhe me vendimet për kontratat e pagesat.
Joerg Koehlinger, shef i sindikatës “IG Metall” në distriktin qendror në Gjermani, ka thënë se thellësia e recesionit me të cilin përballet autoindustria ka ngritur tensionet.