Edhe këtë vit kopjimi i provimeve nga maturantët të cilët sot janë duke e mbajtur Provimin e Maturës nuk është duke munguar.
Disa prej tyre thuajse gjatë gjithë kohës janë duke kopjuar përgjigjet që po u servohen nga persona nga jashtë në rrjetin social Facebook, njofton Llapi.info.
Llapi.info ka bërë një minihulumtim në Facebook dhe ka hasur në dhjetëra fotografi të cilat janë shpërndarë me pyetje dhe përgjigje të gatshme në këtë rrjet social. Përveç kësaj, në kafiteritë afër shkollave të mesme dhe në qytet shihen persona të cilët përmes telefonëve janë duke u ndihmuar këtyre maturantëve të cilët janë duke mbajtur këtë provim.
Një fenomen i tillë i shpërndarjes së testeve në rrjete sociale nuk ka munguar as në vitet e kaluara ku maturantë të shumtë kishin shpërndarë ato provime në mënyrë që të marrin përgjigjet e sakta dhe të gatshme.
Kujtojmë se sot Provimi i Maturës është organizuar nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ku pjesë marrës të këtij provimi janë rreth 30 mijë maturantë nga gjithë territori i Kosovës. Për tu përkujdesur për mbarëvajtjen e këtij procesi janë angazhuar rreth 2100 administrues dhe rreth 600 komisionarë./Llapi.info