Data 24 dhjetor mund të mos jetë “shpëtimi” për të dalë nga kriza e thellë institucionale në vend.

Mosarritja e një marrëveshjeje mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës para kësaj date do të mundë të dërgojë drejt dështimit konstituimin e plotë të Kuvendit të Kosovës.

Përderisa Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka 61 votat e duhura, atëherë seanca e thirrur për konstituim të martën e 24 dhjetorit, do të mundë të fillojë e mbarojë pa zgjedhjen e kryeparlamentarit e të nënkryetarëve.

Të paktën kështu thotë njohësi i çështjeve kushtetues në vende Blerim Burjani.

“Me 24 dhjetor nëse nuk ka marrëveshje për koalicion do te këtë vetëm konstituimi asgjë tjetër nuk mund të ndodh. Pra, seanca ndërpritet pasi që pa votat e duhura nuk mund të vazhdojë. Pa këto vota nuk mund të zgjidhet as kryeparlamentari e nënkryetarët e Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka 61 votat e duhura si fituese e zgjedhje”.

Në përgjigjen e dhënë për Arbresh.info, Burjani shpreson që të mos përsëritet gjendja e vitit 2014, ngërçi politik.

“Të shpresohet se koalicioni do të ketë sukses në themelim përmes një marrëveshje. Nuk do të ishte aspak i dobishëm konfirmimi i gjendjes së vitit 2014. Pra, i ngërçit të sërishëm politik në vend. Kësaj here do të jetë më vështirë shumë, për shkak se VV-ja nëse nuk do të bëjë një koalicion me LDK-në, shtetin e dërgon në zgjedhje. Kur dihet se procedurat janë të qarta kushtetuese, ndoshta më mirë është të mendohet për një opsion tjetër me një qeveri teknike të ekspertëve të pavarur për të bërë reformën zgjedhore se bashku me partitë dhe reforma sektoriale”.

Se mosarritja e një marrëveshjeje mes VV-së LDK-së deri më 24 dhjetor do të jetë problem për konstituim të Kuvendit e thotë edhe Riza Smaka, profesor universitar.

Në një përgjigje dhënë për Arbresh.info, Smaka deklaroi se do të jetë problem konstituimi i Kuvendit përderisa s’ka vota të sigurta.

“Presidenti së pari është vonuar të thërrasë këtë seancë. Mirëpo, procedura e konstituimit të Kuvendit është e pafavorshme në raste se nuk ka marrëveshje paraprake mes VV-së e LDK-së. Aty do të marrin pjesë të gjithë deputetët, por në kohën kur zgjidhen do të këtë problem. Mund të bëhet konstituimi edhe pa koalicion, por për këtë ju duhet të kenë marrëveshje paraprake me partitë që të votojnë kandidatët për të udhëhequr me Kuvendin. Mund të ndodhë që të dështojë krejt seanca konstituive”, ka përfunduar Smaka.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thirrur seancën konstituive për të martën e 24 dhjetorit.

Deri atëherë dy partitë të cilat janë në diskutime për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje kanë kohë që të arrijnë pajtueshmëri për të drejtuar ekzekutivin.

Posti i presidentit në të cilin po insiston LDK-ja, po mban pezull një dakordim të plotë, derisa lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka garantuar në arritjen e një marrëveshjeje pa sqaruar tolerimet e mundshme të të dyja palëve