Pavarësisht të gjitha premtimeve, e gjithë puna me rrjetin 5G është mbërthyer që nga fillimi nga thashethemet dhe teoritë e konspiracionit – e së fundi, narracioni i përhapur në mediat sociale është se teknologjia e rrjetit pa tela e kabllo i ka dhënë hov pandemisë së koronavirusit.
Nuk i ka dhënë. Ani pse e pabazë, teoria ka fituar kaq shumë dominim saqë platformat e mediave sociale janë detyruar që të ndërmarrin veprime për ta ndalur përhapjen pasi i është vënë flaka një vargu kullash me antenat e rrjeteve të telefonisë celulare, transmeton KOHA shkrimin e CNN.
Agjencia Federale amerikane për Menaxhimin e Emergjencave iu kundërpërgjigj këtyre thashethemeve, duke pretenduar se “teknologjia 5G NUK e shkakton koronavirusin”, ndërsa qeveria në Britaninë e Madhe ka insistuar se fjala është për “një konspiracion koti”.
Teoria që synon ta lidhë pandeminë me 5Gnë është e pakuptimtë. COVID-19 shkaktohet nga një virus ngjitës dhe është përhapur edhe në ato pjesë të botës ku teknologjia 5G akoma nuk ka mbërritur. Ama, të këtilla teori nuk janë asgjë e re; shqetësimet rreth ndikimit të 5G-së mbi shëndetin janë përhapur moti kohë para koronavirusit. Ekspertët thonë se edhe këto shqetësime janë po ashtu të pabazuara.
“A ka ndonjë bazë për të qenë të shqetësuar? Përgjigja është jo”, ka thënë Chris Collins, profesor dhe drejtor i kërkimeve në Departamentin e Radiologjisë në shkollën e mjekësisë të Universitetit të New Yorkut. “Nëse njerëzit aktualisht nuk shqetësohen rreth teknologjisë aktuale të telefonisë celulare, atëherë nuk duhet të shqetësohen as për 5G-në”.
Ç’është 5G-ja?
5G është gjenerata e ardhshme e teknologjisë së rrjetit të internetit pa tela që është duke u avancuar me nguti përreth Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kudo në botë.
E mundëson shpërndarjen më të shpejtë të informatave dhe ka kapacitet më të madh të rrjetit sesa teknologjia ekzistuese 4G LTE, dhe pritet që t’i mundësojë inovacionet e reja, si qytetet e mençura dhe operacionet robotike kirurgjikale.
Për të kuptuar përse një grup i vogël njerëzish kanë humbur toruan lidhur me të, është koha që të bëhet pak vrojtim: Në thelb, 5G është një seri specifikimesh teknologjike, të cilat mjetet e spektrit të radiofrekuencave pa tela i përdorin për të komunikuar me rrjetin e thirrjeve.
Në po të njëjtën mënyrë kanë funksionuar edhe rrjetet 3G dhe 4G, vetëm se pajisjet 5G mund të qasen në gamë më të gjerë valësh të radiofrekuencave sesa më herët, duke i mundësuar përmirësimet në shpejtësi dhe gamën e mbërthimit.