Ministri i Jashtëm dhe i Diasporës, Glauk Konjufca, ka raportuar para Komisionit për Punë të Jashtme, i cili e ka ftuar për shkak të vendimin për shkarkimin e konsujve dhe të propozimit për shkarkim të ambasadorëve në disa shtete.
Konjufca tha se këto vendime i ka marrë në përputhje me ligjin dhe se emërimi i deritanishëm i shërbyesve të huaj është shqetësues dhe sfidë për udhëheqjen e re të MPJD-së, njofton Klan Kosova.
“Të gjitha ato emërime kanë qenë jashtë procedurave ligjore dhe pa konkurs. Vendimi për konsujt dhe gjashtë ambasadorët ka qenë në përputhje me ligjin, i cili thotë se nuk parashihet një mandat i dytë i të zgjedhurve politikë dhe se shërbejnë vetëm për një mandat dhe pas përfundimit nuk konsiderohen shërbyes të jashtëm”.
“Arsyeja pse i kam marrë këto dy vendime është për të vendosur një ligjshmëri brenda Ministrisë dhe ky angazhimi imi nuk përfundon vetëm me këto dhe nuk përfund këtu. Kam filluar nga shkeljet me brutale, s’kemi kaluar ende në një fazë të shqyrtimit se si diplomatët e kryejnë punën e tyre dhe në përputhje me një performancë ta vlerësojmë. Dy vendimet e para kanë pasë të bëjnë vetëm me ligjshmërinë”.
“Kur kam kërkuar nga MPJ që ta sjellin një gjendje të emërimeve politike dhe profesionale të shefave të misioneve, rezultati është shqetësues. Tash ndodhim në një gjendje ku 70 janë të emëruar politikë, 30 janë të karrierës apo shërbimit brenda MPJ-së”.
“Kjo është problematike dhe situata është jashtë ligjit. Ajo çka kërkohet prej Ministrisë është ta kthejmë në kontroll gjendjen. Këto vendime i kontribuojnë këtij qëllimi. Nga ky aspekt ka qenë edhe ndërhyrja jonë”.






